Bekim Jashari flet për sulmin e 21 viteve më parë ndaj familjes së tij

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari ka kujtuar sulmin e 21 viteve më parë mbi familjen Jashari nga forca policore serbe.

Lajme

22/01/2019 10:54

Jashari, djali i Hamzë Jasharit, kujton momentin kur mbeten të plagosur shumë anëtarë të familjes, pas sulmit për herë të dytë brenda pak muajsh, përcjell lajmi.net.

Ai ka treguar se si forca të shumta policore serbe ishin të pozicionuar pak metra larg shtëpive të familjes.

Postimi i plotë në Facebook:

21 vite më parë Familja Jashari u sulmua për herë të dytë brenda pak muajsh, nga forca të shumta policore serbe, të pozicionuara në ish-Fabrikën e Municionit, pak metra larg shtëpive të familjes.

Edhe përkundër një aksioni policor që kishte ndodhur në orët e hershme të mëngjesit të 22 janarit të vitit 1998, në një sulm tinëzar, ku mbeten të plagosura vajza e Rifatit Iliriana dhe Hamzës, Selvetja, meshkujt e familjes por edhe anëtarët tjerë, iu kishin përgjigjur në të njëjtën mënyrë krismave të armikut.

Pas kësaj ngjarjeje, Familja e komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, e kishte të qartë se forcat policore serbe herët a vonë do të ktheheshin përsëri në Prekaz.

Dhe, më 5, 6 dhe 7 mars të po atij viti, historia do të ndryshojë përgjithmonë.

Pjesa tjetër e historisë është lavdia e popullit shqiptar.

Qoftë i përjetshëm kujtimi për Familjen Jashari, heronjtë dhe martirët e Kosovës! /Lajmi.net/