Beka: Koalicioni PDK-LDK i ndihmon Kosovës

Deputeti i ri i Parlamentit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Fadil Beka, i cili ka marrë më shumë se 14 mijë vota, thotë se koalicioni PDK-LDK është më i miri për qytetarët e vendit.

Lajme

29/06/2014 16:17

Sipas tij, me ndërtimin e koalicionit mes dy partive më të mëdha të Kosovës ndërtohet edhe një Qeveri stabile që do të punonte për interesat e qytetarëve, të cilët i kanë dhënë besimin më të madh PDK-së dhe LDK-së.

“Mendimi im personal është se jam për koalicionin me LDK-në. Ndërtohet një qeveri shumë stabile dhe kemi edhe shembullin e mëhershëm që ka qenë qeveria më stabile. Edhe opozita mbetet mjaft e fortë. Kjo do të ishte në rend të parë për Kosovën dhe për të dalë nga kjo situatë”, ka thënë Beka për gazetën Express.

“Unë prapë besoj se do të ndërtohet një koalicion PDK-LDK. Është mirë edhe për LDK-në të hyjë në koalicion me PDK-në, dhe anasjelltas. Nuk duhet të merremi me çështje individuale. Ne duhet të mendojmë për këtë shtet dhe qytetarët që kanë votuar”, ka shtuar ai.

Për një koalicion mes PDK-LDK është shprehur edhe anëtari i Kryesisë së PDK-së, Rrustem Mustafa- Remi, i cili ka thënë se vetëm një qeveri me këto dy parti garanton zhvillimin e Kosovës.