BE kërkon rifillimin e bisedimeve izraelite-palestineze

Bashkimi Evropian ka nxitur sërish këtë të mërkurë Izraelin dhe Palestinën të rinisin menjëherë bisedimet për paqe, të cilat u ndalën vitin e kaluar, në një kohë kur shefja e re e Politikës së Jashtme të Unionit synon të riaktivizojë përfshirjen evropiane në këto negociata.

Bota

25/03/2015 19:59

Izraeli duhet të bëjë “çdo përpjekje për të siguruar një rifillim sa më të shpejtë të procesit të paqes në Lindjen e Mesme”, kanë thënën institucionet e BE në një seri raportesh të përvitshme, të cilat vlerësojnë progresin ndaj demokracisë dhe të drejtave të njeriut në vendet pranë bllokut 28-anëtarësh.

Një raport i ndarë më vete i bën thirrje Autoritetit Palestinez të ndjekë “hapat pozitivë” për të rinisur bisedimet e paqes. Shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini, e cila mori këtë detyrë në nëntor, dëshiron të përfshijë më shumë shtetet arabe në punimet e Kuartetit për Lindjen e Mesme, ku përfshihen Shtetet e Bashkuara, Kombet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Rusia.

Në vend që ta zgjerojë Kuartetin, ajo kërkon të zhvillojë më shumë takime të niveleve të larta me të paktën Arabinë Saudite, Jordaninë dhe Egjiptin, thanë diplomatë të lartë. Javën e kaluar, blloku evropian zgjodhi negociatorin veteran italian, Fernando Gentilini, si përfaqësuesin special të BE-së në Lindjen e Mesme.

BE-ja i ka bërë thirrje Izraelit të sigurojë respektimin e plotë të ligjeve ndërkombëtare dhe të të drejtave të njeriut në territoret e pushtuara palestineze. Edhe pse BE pranon se Izraeli ka të drejtë të vetëmbrohet, “efekti shkatërrues” i konflikti të vitit të kaluar në Gaza, veçanërisht ndaj civilëve, “nënvizon sfidat domethënëse që lidhen me përgjegjësitë e Izraelit në territoret e pushtuara”.

Hamasi dhe grupet e tjera të militantëve në Gaza zhvilluan një betejë 50-ditore me Izraelin, gjatë muajve korrik-gusht të vitit të kaluar, nga e cila mbetën të vrarë mbi 2,100 palestinezë, shumica civilë, dhe 67 ushtarë izraelitë, shto këtu edhe 6 civilë.

BE-ja ka bërë thirrje gjithashtu ndaj Autoritetit Palestinez të marrë mbi supe përgjegjësinë për qeverisjen e plotë të Gazës dhe për të organizuar zgjedhje të lira dhe të ndershme presidenciale dhe legjislative. /Top Channel/