BE-ja do të vazhdojë mbështetjen e bujqësisë në Kosovë

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), Memli Krasniqi është takuar sot me shefin e Operacioneve në Zyrën e Komisionit Evropian në Kosovë, Christof Stock, me të cilin ka biseduar për programin për bujqësi për këtë vit, dhe mundësitë e bashkëpunimit.

Lajme

15/04/2015 17:58

Siç njofton Ministria, përmes një komunikate për media, ministri Krasniqi ka falënderuar shefin Stock për mbështetjen që kanë dhënë deri më tash për zhvillimin e sektorit të bujqësisë në Kosovë, veçanërisht në skemën e granteve për Kosovën, me theks të veçantë në sektorin e agropërpunimit. Ai ka vlerësuar si shumë domethënëse që në kuadër të IPA 2, bujqësia është ndër tri shtyllat kyçe.

Ministri e ka njoftuar shefin e Operacioneve në Zyrën e KE-së më hollësisht për Programin për Bujqësi dhe Zhvillim Rural 2015, duke treguar se me rritjen e buxhetit është arritur të rritet mbështetja për fermerët dhe agrobizneset vendore përmes pagesave direkte dhe granteve investive.

Nga ana tjetër, Stock ka vlerësuar zhvillimet në bujqësi, duke e theksuar si një fushë që ka shënuar dhe po shënon mjaft progres. Ai ka thënë se BE-ja do të vazhdojë të rrisë fokusin në këtë drejtim, duke premtuar thellim të bashkëpunimit, njoftoi Ministria.