Bashkësia Islame dhe Komuna në “luftë” për një shkollë

Kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame në Mitrovicë, mulla Asllan Murati, ka kërkuar nga kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, që t’ia kthejë BI-së pronën prej 08.18 hektarësh tokë, në të cilën është e ndërtuar një shtëpi, e cila ka shërbyer edhe si shkollë fetare, por edhe si shkollë e muzikës. Edhe KBI-ja, edhe Komuna thonë se janë pronarë të saj

Lajme

24/05/2016 08:09

Meqenëse nuk kanë mundur të merren vesh për një pronë prej 08.18 hektarësh tokë, në të cilën është i ndërtuar një objekt i vjetër (shtëpi) prej 232 metrash katrorë dhe që ka shërbyer në të kaluarën edhe si shkollë fetare, edhe si shkollë e muzikës, Këshilli i Bashkësisë Islame në Mitrovicë dhe Komuna e Mitrovicës do të shkojnë në gjykatë, e cila duhet ta zgjidhë kontestin.

Edhe Komuna e Mitrovicës, respektivisht kryetari Agim Bahtiri, por edhe kryetari i Bashkësisë Islame në Mitrovicë, mulla Asllan Murati, thonë se prona është e tyre.

Që të dy ata thonë se kanë letra për pronën, por mulla Asllan Murati, i cili është takuar me kryetarin e Mitrovicës, për ta diskutuar këtë rast, para së gjithash, por edhe për të biseduar për përgatitjen e një takimi për renditjen e aktiviteteve kundër ekstremizmit dhe radikalizmit, në të cilin do të merrnin pjesë imamët e të gjitha xhamive që janë në rajonin e komunës së Mitrovicës, ka insistuar që të merren vesh mes vete pa e implikuar gjykatën në këtë rast, pas një vendimi të Komunës së Mitrovicës për ta rrënuar objektin.

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, duke qenë i sigurt se prona është e Komunës i ka rekomanduar mulla Asllan Muratit që çështjen ta dërgojë në gjykatë.