Basha: Rama presion drejtësisë. Provat e Antimafias mjaftojnë

Kryetari i PD, Lulzim Basha ka reaguar sërish lidhur me debatet që po bëhen në Këshillin e Mandateve për heqjen e imunitetit të ish-ministrit Tahiri.

Lajme

21/10/2017 16:18

Në një deklaratë për mediat, Basha ka denoncuar transferimet dhe shkarkimet e oficerëve të policisë që kanë denoncuar lidhjet e Tahirit me Habilajt, si dhe ka nënvizuar se provat e Antimafias për deputetin socialist janë të mjaftueshme.

“Antimafia ka paraqitur prova ligjore për trafik droge e armësh nga Habilajt, të ndihmuar nga Tahiri. Kjo dosje i tregon gjithë shqiptarëve dhe gjithë botës se si krahu i djathtë i Edi Ramës është kapur në flagrancë në trafik droge dhe gjithë shteti është vënë në shërbim të trafikantëve”, ka thënë Basha, i cili ka parashtruar edhe provat.

“A nuk është provë makina e tij? A nuk janë plantacionet e kanabisit? A nuk është provë përgjimi kur thuhet se janë fikur radarët? Provat janë të mjaftueshme për të pranuar kërkesën e prokurorisë”, ka thënë Basha.

Kreu i opozitës ka akuzuar kryeministrin Rama se për të mbuluar veten dhe njerëzit e tij të afërt po sulmon drejtësinë.

“Vetëm ata që kanë frikë nga këto prova pengojnë drejtësinë. Edi Rama po mbron Tahirin dhe po i bën gjyq drejtësisë, sepse Habilajt dhe Tahiri janë shteti i Edi Ramës. Beteja e sotme nuk është për Tahirin. Rama do vërtet që ai të mos ndalohet e të lihet i lirë që të zhdukë provat e të kërcënojë hetuesit e prokurorët, por kjo është pjesë e një pakti mafioz mes Ramës dhe Tahirit për të mbrojtur gjithë kupolën mafioze ku bëjnë pjesë ata zyrtarë që janë kapur nga partnerët si të përfshirë në trafikun e drogës”, ka vijuar Basha.

Ai ka shtuar se, Rama e di se ai dhe qeveria e tij janë të vdekur politikisht dhe nga paniku, “Rama ka urdhëruar sulmet ndaj prokurorëve. I bëj thirrje të heqë dorë nga sulmi ndaj drejtësisë se e ka të kotë”, ka shtuar Basha.