Basha: Rama nuk e pranoi debatin me mua se nuk ka plan

Dy ditë para zgjedhjeve parlamentare të 25 qershorit në Shqipëri, kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka shpalosur edhe njëherë pikat kryesore të programit të tij.

Lajme

23/06/2017 08:54

Kryedemokrati Basha tha se programi i tij synon rritjen e ekonomisë.

Teksa u ndal tek rëndësia e një debati të hapur mes palëve për të shpalosur programet për qeverisjes në 4 vitet e ardhshme, Basha tha se kryeministri Rama e ka refuzuar këtë gjë.

Sipas kreut të PD-së, Rama jo vetëm nuk ka një plan për 4 vitet e ardhshme, por edhe në 4 vitet që lamë pas ka qeverisur pa plan.

“Unë e kërkova një debat me Ramën si një kulturë demokratike dhe europiane. Unë doja t’u tregoja shqiptarëve çfarë kishim secili nga ne në program për shqiptarët. Por Rama nuk e pranoi debatin. Kjo për faktin se ai nuk ka plan. Ka ricikluar premtimet, por plan nuk ka. Ndërsa PD ka një plan për përmirësimi e ekonomisë në vend. Unë kam shkuar në ture të vazhdueshme në mbarë vendin dhe kam zhvilluar takime me qytetarët dhe fermerët, të rinjtë e përfaqësuesit e bizneseve, çdo kategori tjetër, të cilat janë pasqyruar në program”, ka thënë Basha në “News 24”.