Banka Qendrore e Kosovës paralajmëron qytetarët: Kujdes me Bitcoin-s!

Banka Qendrore e Kosovë ka paralajmëruar qytetarët e Kosovës rreth përdorimit të monedhës virtuale – “Bitcoin”, duke thënë se përdorimi i këtyre parave nuk është i rregulluar me ligj.

Lajme

01/06/2017 20:35

Përmes një komunikate për medie, BQK ka thënë se përdorimi i monedhave virtuale përbën një rrezik që mund të rezultojë me humbje financiare.

“Përdorimi i parave virtuale, siç është për shembull Bitcoin, nuk është i rregulluar ligjërisht dhe përbën një rrezik që mund të rezultojë me humbje financiare. Të gjithë përdoruesit e mundshëm të parasë virtuale njoftohen se në Republikën e Kosovës nuk ka asnjë institucion që garanton rimbursimin e parave të humbura”, thuhet në njoftimin e BQK-së.

Një monedhë virtuale është një formë e parregulluar e parasë digjitale e cila nuk përdoret ose garantohet nga një bankë qendrore dhe e cila mund të veproj si mjet pagese.

Monedhat virtuale paraqiten në shumë forma, në fillim si monedha brenda lokaleve të lojërave kompjuterike online dhe media sociale, dhe më vonë janë zhvilluar si mjete pagese që pranohen ‘offline’ ose në ‘jetën reale’.