Banka Botërore do të përkrahë projektet zhvillimore të Kosovës

Ministri i Financave të Kosovës, Avdullah Hoti është takur sot me zëvendëspresidenten rajonale të Bankës Botërore, Laura Tuck, e cila ishte e shoqëruar nga drejtoresha Rajonale e Bankës Botërore, Ellen Goldstein, si dhe menaxheri i Bankës Botërore për Kosovë, Jan-Peter Olters,

Lajme

12/03/2015 23:06

Në këtë takim është diskutuar lidhur me bashkëpunimin në mes të Bankës Botërore dhe Kosovës.

Hoti njoftoi zëvendëspresidenten rajonale të BB-së, Laura Tuck, se Kosova ka stabilitet makroekonomik dhe fiskal dhe se Qeveria e Kosovës është duke i realizuar objektivat e saj në zhvillimin ekonomik dhe financiar të shtetit.

Ministri ka falënderuar Bankën Botërore për bashkëpunimin dhe kontributin në zhvillimin ekonomik të vendit, me theks të veçantë në implementimin e projekteve ekzistuese në harmoni me agjendën e Qeverisë në drejtim të zhvillimit të sektorit të energjisë.

Hoti i njoftoi zyrtarët e lartë të Bankës Botërore gjithashtu edhe për përkushtimin e Qeverisë për të implementuar planin zhvillimor të saj, i cili ka për qëllim të sigurojë rritje të qëndrueshme ekonomike dhe krijimin e kushteve sa më të mira të të bërit biznes.

Ndërsa, Laura Tuck tha se niveli i bashkëpunimit të deritashëm ndërmjet Kosovës dhe Bankës Botërore është shumë i mirë dhe gjithashtu shprehu gatishmërinë e Bankës Botërore për përkrahjen e projekteve zhvillimore për Kosovën edhe në të ardhmen. (lajmi.net)