Balje: Shkresën e kemi gati për presidenten

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Duda Balje tha për lajmi.net se deputetët e Kosovës nga radhët e komuniteteve tashmë e kanë të gatshme shkresën me të cilën do t’i drejtohen presidentes Atifete Jahjaga, ku do t’i kërkojnë që ajo t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese që të jap interpretim për pikën 127 të aktgjykimit që lidhet me çështjen e zgjedhjes së Kryetarit të Kuvendit.

Lajme

20/10/2014 15:16

Balje tha se përveç dy deputetëve që janë deklaruar kundër nënshkrimit të kësaj shkrese edhe Slobodan Petroviq nuk ka mundur ta nënshkruaj atë, për arsye se ai gjendet në Beograd.

“Shkresa do të dërgohet tek Presidentja Atifete Jahjaga në orën 14:30, ajo tashmë është e përgatitur. Paraprakisht kemi paralajmëruar se kjo do të ndodhë në ora 14:00, por se jemi duke pritur që një deputetë nga minoritetet të vjen nga Prizreni dhe më pas shkresa do të dërgohet në Presidencë”.

“Janë dy deputetet që janë deklaruar se nuk do ta nënshkruajnë, Nenad Rashiq dhe Emilija Redzepi, kjo e fundit nga komuniteti boshnjak. Rashiq është arsyetuar se nuk e nënshkruan këtë kërkesë pasi që aty thuhet që duhet shmangur zgjedhjet”.

“Edhe Slobodan Petroviq nuk ka mundur ta nënshkruaj pasi që ai momentalisht është në Beograd”, tha Balje për lajmi.net.