Bajrami e Hoti diskutojnë për pikat që po e pengojnë zbatimin e Kontratës Kolektive

Ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), Arsim Bajrami ka përmendur dy pikat kryesore që po shkaktojnë vështirësi në zbatimin e Kontratës Kolektive për punonjësit e Arsimit Parauniversitar, që sipas tij janë Sigurimi i transportit për mësimdhënësit që udhëtojnë dhe Sigurimi i shujtave ditore të ushqimit.

Lajme

09/01/2015 12:28

Përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, ministri Bajrami ka njoftuar  se për këto vështirësi kanë diskutuar me ministrin e Financave, Avdulla Hoti, gjatë një takimi që kanë zhvilluar të premten paradite.

“Sot jemi takuar së bashku me ministrin e Financave, me të cilin kemi biseduar rreth kërkesave të fundit të sindikalistëve të arsimit për Kontratën Kolektive të Arsimit Parauniversitar, adresuar Qeverisë së Republikës së Kosovës”.

“Vështirësitë që kemi në implementimin e Kontratës Kolektive të Arsimit Parauniversitar janë në dy pika: 1. Sigurimi i transportit për mësimdhënësit që udhëtojnë, në vlerë prej 70% të biletave të trafikut urban. Për këtë çështje do të takoj gjatë ditës kryetarët e komunave nga të cilët do të kërkoj që të marrin përsipër sigurimin e transportit për mësimdhënësit që udhëtojnë.2. Sigurimi i shujtave ditore të ushqimit për 28.199 mësimdhënës të punësuar nga 2€ për ditë mësimi për 185 ditë mësimi në vit”, ka shkruar Bajrami.

Ministri ka përmendur edhe pikat  që janë zbatuar ose janë në zbatim nga Kontrata Kolektive: Kontrata e punës pa afat të caktuar për të gjithë të punësuarit që i plotësojnë kriteret; Avancimi i Kualifikimit të Mësimdhënësve pa pagesë dhe pa shkëputje nga puna; Njohja e përvojës së punës 0,5% të pagës bazë për çdo vit; Shpërblimet jubilare me rastin e pensionimit – tri paga; Përfaqësuesit sindikal pjesëmarrës në përzgjedhjen e drejtorëve të shkollave në cilësi të vëzhguesit dhe pa të drejt vote; Kryetarët e Sindikatave Komunale një ditë të lirë në javë; dhe Rritja e pagës që do të bëhet sipas planifikimeve të Qeverisë gjatë vitit 2015.