Bajram Hasani afër VV-së: Me Albin Kurtin ndajmë shumë qëndrime të njëjta

Kryetari i Nismës Socialdemokrate për Gjilanin, Bajram Hasani dje është takuar me liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin.

Lajme

01/02/2019 14:57

Takimi mes Hasanit dhe Kurtit është zhvilluar në njërën nga kafenetë e kryeqytetit.

Lajmi.net mëson se në këtë takim është diskutuar për kalimin e Nismës Socialdemokrate me degë në Gjilan, në Vetëvendosje.

Ish ministri i Tregtisë dhe Industrisë ka folur për lajmi.net për këtë takim. Nuk e ka komentuar lajmin për kalimin e degës së Nismës Socialdemokrate në Gjilan në Lëvizjen Vetëvendosje, por ka thënë se me Albin Kurtin ndanë shumë qëndrime të njëjta.

I pyetur nga lajmi.net, nëse po bëhet gati të kalojë në partinë e Kurtit, Hasni nuk e ka pohuar as mohuar këtë. Ka thënë se për këtë nuk ka biseduar dje me kreun e VV-së, por për heshtjet madhore në të cilat po kalon Kosova.

“Me z. Kurti ndajmë qëndrime të njëjta për shumë tema të mëdha që po kalon vendi ynë e sidomos qëndrimi për ndarjen e Kosovës. Ishte një takim rasti nën të cilin ndamë shumë shqetësime për situatën në të cilën po kalon vendi ynë. Unë vazhdimisht takohem me miq nga të gjitha partitë dhe kjo nuk do të thotë të jetë biseduar për lëvizjen time”, ka thënë Hasani për lajmi.net.

Theksojmë se Hasani ishte ministër i Tregtisë dhe Industrisë në fillim të mandatit të qeverisë Haradinaj.

Ai u shkarkua  me kërkesë të partisë së tij. /Lajmi.net/