Bahtiri sot nis peticionin për bashkimin e Mitrovicës

Pavarësisht se Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), i ka kthyer përgjigje negative, Agim Bahtiri po vazhdon me idenë e tij për bashkimin e Mitrovicës.

Lajme

24/12/2018 07:37

Kreu i pjesës jugore të Mitrovicës, Agim Bahtiri po vazhdon me idenë e tij për bashkimin e Mitrovicës, pavarësisht se Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal i ka kthyer përgjigje negative, shkruan lajmi.net.

Komuna e Mitrovicës përmes një njoftimi ka bërë të ditur se sot me fillim prej orës 10:00 Kuvendi komunal do të mbajë mbledhje të jashtëzakonshme me kërkesë të Bahtirit.

“Kuvendi i Komunës së Mitrovicës së Jugut mban mbledhje të jashtëzakonshme, me kërkesë të kryetarit të Komunës, Agim Bahtiri. Në rend dite është rishqyrtimi i Konkluzionit të datës 30.11.2018 me të me të cilin i është propozuar Qeverisë së Kosovës inicimi i procedurës për ndryshim të ligjit Nr./ L-041 për kufijtë administrativë të komunave, me qëllim të bashkimit të Mitrovicës dhe disa pika të tjera”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, gjatë ditës së djeshme përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, vet Bahtiri ka publikuar formularin e peticionit për bashkimin e Mitrovicës, shkruan më tutje lajmi.net.

“Nga nesër (sot), në Mitrovicë do të nis nënshkrimi i PETICIONIT për inicimin e procedurës për Ndryshim – Plotësimin e Ligjit Nr. 03/L-041 për Kufijtë Administrativ të Komunave, me qëllim të bashkimit të komunës së Mitrovicës Veriore me komunën e Mitrovicës Jugore”, ka shkruar Bahtiri.

Postimi i plotë i Bahtirit pa ndërhyrje:

Nga nesër në Mitrovicë do të nis nënshkrimi i PETICIONIT për inicimin e procedurës për Ndryshim – Plotësimin e Ligjit Nr. 03/L-041 për Kufijtë Administrativ të Komunave, me qëllim të bashkimit të komunës së Mitrovicës Veriore me komunën e Mitrovicës Jugore.

Qytetarët do të kenë mundësi të nënshkruajnë në disa pika të organizuara nga vullnetarët nëpër pjesët e ndryshme të qytetit.

Shpërndajeni që të informohen të gjithë. /Lajmi.net/