Bahtiri: Nëse BE nuk e miraton marrëveshjen deri në qershor mund të derdhet gjak

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka thënë se nuk ka ardhur nga diaspora për karrige, por për t’i ndihmuar qytetarët.

Lajme

26/05/2016 22:46

Ai ka shtuar se do ta braktisë politikën në momentin që do të braktisë partinë e tij, Aleancën Kosova e Re.

“Misioni im është t’i ndihmoj qytetarëve, jo të ulem në një karrige. Në atë ditë që dal prej AKR-së, do ta lë politikën”, ka thënë Bahtiri në Rrokum Roll, në televizionin Rrokum.

Bahtiri ka thënë se ka marrë ftesa nga partitë politike për t’iu bashkuar, por jo edhe nga Vetëvendosje.

Kreu i Mitrovicës ka folur edhe për çështjen e barrikadës në Mitrovicë.

“Barrikada do të hiqet, jo në vitin 2017, por në vitin 2016”, ka thënë ndër të tjera Bahtiri.

Ai ka shtuar se kufijtë administrativë janë ata që po e pengojnë heqjen e barrikadës.

Bahtiri ka treguar se është mbajtur një mbledhje javën e kaluar për të diskutuar për barrikadën, duke u bazuar në marrëveshjen e vitit 2004, ku thuhet se, barrikada duhet të hiqet në fund të qershorit.

“Nuk dua të jem kryetar aty ku ka gjak e ku ka dhunë”, ka shtuar Bahtiri.

Ai ka vlerësuar se nëse BE nuk e miraton marrëveshjen deri në qershor, mund të ndodhë edhe më e keqja, të derdhet gjak.

“E, në momentin që derdhet një pikë gjak, unë më nuk jam kryetar i Mitrovicës”, është shprehur ai.