Ayrault: Zgjidhja e vetme e konfliktit izraelito-palestinez është ajo me dy shtete

Diplomatët nga afro 70 vende janë tubuar sot në Paris, për ripërtëritje të përpjekjeve paqësore në konfliktin izraelito – palestinez, në periudhën e shqetësimeve për përshkallëzim të ri, nëse presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, e realizon premtimin e tij për ta njohur Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit.

Bota

15/01/2017 19:14

Në këtë konferencë nuk marrin pjesë as palestinezët e as përfaqësues të Izraelit.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, e ka kritikuar këtë takim, duke thënë se konferenca është “manipulim” kundër Izraelit.

Në hapje të konferencës, ministri i jashtëm i Francës, Jean-Marc Ayrault, tha se komuniteti ndërkombëtar dëshironte që “të përsëriste fuqishëm se zgjidhja me dy shtete është e vetmja zgjidhje e mundshme”, në këtë konflikt që po zgjatë tash e shtatë dekada, raporton AFP, transmeton rel.

Më vonë, në një intervistë televizive, zoti Ayrault ka tërhequr vërejtjen se lëvizja e ambasadës së Shteteve të Bashkuara nga Tel Avivi në Jerusalem, do të ketë “pasoja ekstremisht serioze” dhe ka parashikuar se Donald Trump do ta kuptoj se kjo është e pamundshme për tu bërë.