Avokati i të Drejtave të Njeriut

10 dhjetori shënon ditën Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut. Institucioni i Avokatit të Popullit ka treguar për rëndësinë e kësaj dite.

Lajme

10/12/2013 15:54

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, Avokati i Popullit ka lëshuar një deklaratë për shtyp, ku ka treguar për domethënien e kësaj dite.

“10 dhjetori rikujton universalitetin e barabarësisë në dinjitet dhe të drejta për të gjitha qeniet njerëzore”.

“Kjo ditë gjithashtu tërheq vëmendjen për më shumë angazhim e përkushtim, për të promovuar dhe mbrojtur të drejtat e secilit njeri”.

“Një ditë si kjo,kërkon reflektim mbi përgjegjësinë që kemi secili veç e veç e të gjithë bashkë,për ta ndërtuar sot një botë më të mire, se sa ishte dje. Kosovës i duhet nje reflektim i tillë, gjithashtu, për shkak të gjithë asaj nëpër të cilën ka kaluar e për hir të së ardhmes që synon”.

Avokati i Popullit ka ngritur lartë figurën e Nelson Mandelës, njeriut që luftoi për të drejtat e njeriut dhe barazi.

“Në këtë ditë, s’kemi si të mos e kujtojmë luftëtarin e paepur për të drejta e njeriut, Nelson Mendelën, të cilit bota ijep sot lamtumirën e fundit”-thuhet në deklaratën e lëshuar nga Avokati i Popullit të Kosovës.

10 dhjetori është Dita Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, ku më po këtë datë të vitit 1948 është miratuar Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut.

Ndërkaq, në vitin 2000 Organizata e Kombeve të Bashkuara miratoi Objektivat Zhvillimore të Mijëvjeçarit, për realizimin e së cilës ka deklaruar përkushtimin e saj edhe Kosova.