Avokati i Popullit kërkon shkarkimin e menjëhershëm të Jabllanoviqit

Institucioni i Avokatit të Popullit ka reaguar në lidhje me deklaratën e kryeministrit Isa Mustafa në Facebook, përmes së cilës ai ka thënë se deklarata e Avokatit të Popullit për ministrin Aleksandar Jabllanoviq është ‘cilësim politik’.

Lajme

12/01/2015 17:42

Avokati i Popullit, përmes një reagimi dërguar mediave, ia përkujton kryeministrit se Ligji për Avokatin e Popullit, neni 16, pika 1.3, parasheh që një ndër përgjegjësitë e Avokatit të Popullit është “të bëjë të njohura të drejtat e njeriut dhe përpjekjet për të luftuar të gjitha format e diskriminimit përmes ngritjes së vetëdijesimit, posaçërisht përmes informimit dhe edukimit edhe me anë të mediave”.

“Fjala ‘egërsirë’ ka qenë pjesë e fushatave shoviniste dhe urrejtëse të aparatit të Millosheviqit ndaj një grupi të caktuar etnik. Kur Avokati i Popullit dënon publikisht përdorimin e kësaj fjale, tani të thënë nga një anëtar i Qeverisë së Republikës së Kosovës, nuk po merret me ‘cilësime të deklaratave politike’, por pikërisht po kryen detyrën e tij ‘për të luftuar të gjitha format e diskriminimit […] me anë të mediave’ dhe po përmbush premtimet dhe betimin e tij para qytetarëve dhe para ligjit”, thuhet në këtë reagim, raporton Koha.net.

Më tej thuhet se “është tepër ironik fakti që kryeministri Mustafa pretendon të udhëzojë Avokatin e Popullit në përmbushjen e detyrave të tij, kur vetë z. Mustafa ose nuk do, ose nuk di, ose nuk guxon të përmbushë detyrimet dhe përgjegjësitë e tij, si kreu i Qeverisë”.

“Mosmarrja e masave ndaj ministrit Jabllanoviq është një shembull i këtij dështimi. Avokati i Popullit nuk pranon asnjë ndërhyrje nga askush, qoftë ai edhe kryeministri Mustafa. Përpjekja e tij që reagimet ndaj deklaratave të Jabllanoviqit t’i orientojë në një debat mbi ‘pjesëmarrjen në qeveri të serbëve që janë lindur apo atyre që jetojnë në Kosovë’, është devijim i qëllimshëm, tendencioz, po aq sa është edhe cinik”, thuhet më tej në reagim.

Avokati i Popullit thotë se asnjëherë nuk e ka mohuar të drejtën e serbëve të Kosovës t’i shërbejnë popullit. Përkundrazi, Avokati i Popullit thotë se, jo vetëm e mirëpret pjesëmarrjen e çdo komuniteti, përfshirë komunitetin serb, në Qeveri dhe secilin segment të jetës në Kosovë, por edhe tërheq vërejtjen kur kjo nuk bëhet sipas Kushtetutës dhe ligjit.

Por, për Avokatin e Popullit është e patolerueshme që një anëtar i Qeverisë, i cilitdo komunitet qoftë, shumicë apo pakicë, të mos e pranojë Republikën e Kosovës si shtet sovran dhe të pavarur. “Asnjë popull demokratik në botë nuk do të pranonte të përfaqësohej nga dikush që mohon ekzistencën e shtetit të cilit pretendohet se duhet t’i shërbejë. Populli i Republikës së Kosovës nuk është dhe nuk duhet të jetë i ndryshëm në këtë drejtim”, theksohet më tej në reagim.

Avokati i Popullit shton se “në sqarimin e tij lidhur me atë që kishte thënë, ministri Jabllanoviq jo vetëm që s’ka kërkuar falje për gjuhën urrejtëse që ka përdorur, por ka shkuar edhe më larg”.

“Ai ka përsëritur edhe një herë shprehjen diskriminuese dhe fyese ‘egërsirë’. Për më tepër, ka vënë barrën e fajit tek NATO për të gjithë viktimat dhe personat e zhdukur gjatë luftës në Kosovë, duke u përpjekur që qëllimshëm të mohojë faktet objektive, të pranuara ligjërisht dhe botërisht rreth krimeve të luftës të kryera në Kosovë nga shteti serb”.

Në fund, Avokati i Popullit kërkon nga kryeministri që të ndërmarrë veprime të parapara me Kushtetutë dhe ligj, “të shkarkojë menjëherë z. Jabllanoviq nga çdo pozitë në institucionet e Republikës së Kosovës, për shkak të përdorimit të gjuhës urrejtëse ndaj një grupi të caktuar njerëzish, si dhe për shkak të mohimit të shtetësisë së Republikës së Kosovës”.