Avokati i Popullit kërkon heqjen e pagesës për provim të maturës

Avokati i Popullit i ka përcjellë dje Ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe Kryetarit të  Komisionit Shtetëror të Maturës, Raportin me rekomandime përkitazi mbi Vendimin për pagesën e provimit të maturës shtetërore, të datës 16.05.217, me nr. 2-1843, i nxjerr nga Komisioni Shtetëror i Maturës.

Lajme

06/04/2018 18:17

Rasti është hapur sipas detyrës zyrtare nga ana e Avokatit të Popullit, me qëllim të vlerësimit, nëse ky Vendim është në pajtim me parimin e sundimit të ligjit dhe ligjshmërinë. Në rastin konkret, Avokati i Popullit vëren se, Komisioni Shtetëror i Maturës, duke u mbështetur ne nenin 8 dhe 9 të Ligjit nr.5/L-18 për Provimin e Maturës Shtetërore (në tekstin e mëtejmë: Ligji nr.5/L-018), më 16 maj 2017, ka nxjerr vendim, me të cilin përcakton si kriter shtesë dhe obligon të gjithë nxënësit me pagesën në bankë, për t’iu nënshtruar provimit të maturës, përderisa neni 16 i Ligjit nr. 5/L-018, ka përcaktuar një listë shteruese të kritereve, që nuk lë hapësirë për kritere shtesë, siç është bërë me Vendimin  në fjalë.

Avokati i Popullit vëren se Komisioni Shtetëror i Maturës, duke u bazuar në dispozitat e lartcekura, nuk përfill bazën ligjore për të hyrë në provimin e maturës shtetërore, duke vendosur kriter që nuk përmendet fare në Ligjin nr. 5/L-018, i cili nuk i jep kompetenca Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, përkatësisht Komisionit Shtetëror të Maturës, që të përcaktoj kritere shtesë.  Prandaj, Vendimi i Komisionit Shtetëror të Maturës, është në kundërshtim jo vetëm me parimin e ligjshmërisë, por edhe me tërë konceptin e sigurisë juridike.

Avokati i Popullit, konstaton se Vendimi për pagesën e Provimit të maturës i shkel të drejtat dhe liritë e njeriut për faktin se është në kundërshtim me parimet bazë të funksionimit të shtetit demokratik, siç është parimi i ligjshmërisë, parimi kushtetues i sundimit të ligjit dhe parimi i sigurisë juridike, sepse nuk ka bazë ligjore në Ligjin nr. 5/L-018 për nxjerrjen e një vendimi të tillë.

Në bazë të analizës, vlerësimeve dhe konstatimeve, Avokati i Popullit i rekomandon Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë që në pajtim me kompetencat dhe përgjegjësitë e legjislacionit përkatës në fuqi, të shpallë të pavlefshëm Vendimin për pagesën e Provimit të Maturës Shtetërore, të datës 16.05.2017 me nr. 2-1843 të nxjerr nga Komisioni Shtetëror i Maturës.