Arrestohet me urdhër të Serbisë ish ushtari i UÇK-së, MPJ heshtë

Ish ushtari i UÇK-së Genc Zogaj, i cili jeton në Francë, është ri-arrestuar nga Interpoli me fletë-arrest të shtetit të Serbisë.

Lajme

30/11/2014 16:26

Zogaj vite me parë ishte gjykuar nga ish Administrata e UNMIK-ut, për krime lufte, mirëpo ishte shpallur i pafajshëm.

Familjarët e Gencit, thonë se ai po keqtrajtohet duke u ri-arrestuar e akuzuar edhe pse është shpallur i pafajshëm.

Vëllai i tij, Besart Zogaj, thotë për KosovaPress, se ata kishin menduar se tashmë kjo çështje ishte kryer, por me kërkesë të Serbisë, Interpoli e ka ri-arrestuar përsëri.

“Genc Zogaj, ishte gjykuar dhe rigjykuar nga administrata e UNMIK-ut në Kosovë, gjëja për Krime lufte, dhe atë në të dy raste me burg. Pas shume seancash të udhëhequra nga ndërkombëtarët, doli i pafajshëm, mirëpo shteti serb në vitin 2009 kishte bërë fletëarrest ndërkombëtar, ku u depertua nga Hungaria në Serbi ku vuajti 6 muaj burgim, e u maltretua pa asnjë të drejt dhe në fund doli i pafajshëm. Genci jeton ne Francë bashkë me familjen, por ai është arrestuar të premten e javës së kaluar rreth orës 22:30 nga autoritetet e larta franceze dhe pritet të ekstradohet se shpejti për në Serbi, me akuzat e ngritura nga Serbia, për krime lufte që ka vuajtur dënim 3 herë dhe është liruar i pafajshëm”, thotë Zogaj.

Ai ka akuzuar edhe institucionet e Kosovës për mos interesim rreth këtij rasti, duke mos bërë as edhe një gjë që shtetasit e saj të mos maltretohen nga shteti serb.

“Qyqarllëku i institucioneve të Kosovës, duke u marr me pune periferike dhe duke e lënë popullin në mjerim, e shantazhet ndaj nesh, bëjnë që sot vëllai im të gjykohet për të 4-ten herë nga shteti serb. Zoti e udhëzoftë udhëheqjen e dështuar politike e cila po shkatërron shumë familje të cilat nuk kursyen gjymtyrët e trupit, pasurin e me të dashurit e familjes për çlirimin e Kosovës”, ka thënë në fund Besart Zogaj.

KosovaPress-i i ka dërguar para më shumë se një muaji disa pyetje në adresë të Ministrisë së Punëve të Jashtme, dhe deri sot nuk kanë kthyer asnjë përgjigje.

Genc Zogaj, kohë me parë kishte thënë për KosovaPress se për pesë muaj sa ka qëndruar në burgun e Vranjës në Serbi, është keqtrajtuar në mënyrë ç’njerëzore nga oficerët serbë dhe sigurimi i burgut.

Zogaj kishte thënë se urdhri për arrestimin e tij është lëshuar nga Gjykata Supreme e Vranjës, e cila ka dërguar fletarrestim në Interpol në vitin 2006, ku gjatë kalimit në Hungari, ai është ndaluar nga policia e Hungarisë duke iu konfirmuar fletarrestimi nga autoritetet serbe.

Akuza e ngritur ndaj tij ka qenë për kinse “vrasje, kidnapim dhe terrorizëm” ndaj serbëve në rajonin e Gjilanit gjatë periudhës së qershorit 1999, gjë që sipas Zogajt nuk ka të bëjë fare me të.

Po, ashtu Zogaj ka qenë i akuzuar për kinse dy vrasje, 6 kidnapime dhe terrorizëm edhe në Kosovë nga gjykata e UNMIK-ut, por është liruar si i pafajshëm.

Ndryshe, Zogaj ka qenë luftëtar i UÇK-së në zonën e Malishevës. Ai kishte marrë rrugën për në Francë që të punojë dhe të sigurojë ekzistencën për familjen e tij.