Arbër Vllahiu uron nxënësit për vitin e ri shkollor, ka edhe një mesazh për ta
Kandidati i AAK-së për kryetar të Prishtinës, Arbër Vllahiu ka uruar nxënësit për fillimin e vitit të ri shkollor.
Lajme
Vllahiu përmes një postimi në rrjetin social Facebook që ua ke dedikuar nxënësve ka shkruar se “mësuesi duhet të mbjellë në shpirtin tënd respektin, drejtësinë, mirësinë dhe mirëkuptimin”.
Vllahiu po ashtu ka theksuar se do të punojë me përkushtim që në Prishtinë të mos ketë më shkolla të ngarkuara me shumë turne.
Ky është postimi i plotë i Vllahiut në Facebook:
I dashur nxënës,
Kur ke përfunduar muajin e pushimit të verës dhe je ulur në bankën e shkollës, sot, do të fillojë një vit i ri i bukur shkollor, me librin – mikun e ngushtë. Ti sot je një nxënës i vogël, që ngarend pas dijes, lojës dhe dashurisë për shkollën, por nesër do të bëhesh një njeri i zoti që do të punosh për familjen dhe atdheun. Prej sot do të jesh qendra e botës së mësuesit që do të të drejtojë në jetë, sepse do të të duhet shumë dituri, mësim dhe shumë mirëkuptim – sepse atdheu dhe qyteti yt zhvillohet, ndërtohet vetëm me dashuri dhe me vizion të qartë. E mësuesi duhet të mbjellë në shpirtin tënd respektin, drejtësinë, mirësinë dhe mirëkuptimin, dijeninë dhe njëkohësisht të të përgatis të jesh i fortë për t’u përballur me të keqen. Do të të bëjë të ëndërrosh synime të mëdha në jetë dhe ti arrish ato, me mund. E unë do të jem pranë teje për ta mundësuar zhvillimin tënd, me shkolla të reja, me më pak turne, më biblioteka dhe me salla fizkulture, me më shumë kushte për zhvillimin tënd. Do të jem me ty për një arsim më cilësor. Kudo që të jesh ti, në çdo cep të qytetit tënd, qytetit tonë, që të ardhmen ta bëjmë me më shumë dashuri.
Urime, juve nxënësve e mësimdhënësve, si dhe juve prindër, viti i ri shkollor.