Ramadani reagon pas paralajmërimeve të NATO-s për ushtrinë

Zëvendësministri i Forcës dhe Sigurisë së Kosovës, Burim Ramadani, ka reaguar pas deklaratave të sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Lajme

05/12/2018 16:45

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, sot deklaroi se Kosova do të përballet me pasoja serioze nëse vazhdon me transformimin e FSK-së në ushtri, shkruan lajmi.net.

Pas këtyre deklaratave ka reaguar zëvendësministri i Forcës dhe Sigurisë së Kosovës.

Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Ramadani ka thënë se nuk ka vend për konfuzion dhe se sipas tij, transformimi i FSK-së është në përputhje me angazhimet bilaterale dhe multilaterale të Kosovës me shtetet anëtare të NATO-s.

Ramadani në këtë reagim ka shkruar se e mirëpret thellimin e angazhimit të NATO-s në Kosovë, përmes NALT-it dhe Bashkëveprimit të Zgjeruar dhe se KFOR-i po ashtu do të vazhdojë të qëndrojë në Kosovë dhe do të thellohet bashkëpunimi, shkruan më tutje lajmi.net.

Lexo edhe:

NATO e paralajmëron Kosovën: Nëse e bëni ushtrinë, do përballeni me pasoja

Tutje Ramadani ka bërë të ditur se tranzicioni i FSK-së është proces legjitim dhe gradual dhe se sipas tij, pas miratimit të ligjeve, FSK do të ketë tranzicion 10-vjeçar për të përmbushur kapacitetet e plota operacionale.

Reagimi i plotë i Ramadanit pa ndërhyrje:

Nuk ka vend fare për konfuzion.

Transicioni i FSK-së është në përputhje me angazhimet bilaterale dhe multilaterale të Kosovës me shtetet anëtare të NATO-s, sikurse edhe me Selinë Qendrore të NATO-s.

Duhet të kuptojmë vështirësitë e NATO-s për konsensus për shkak të shteteve jonjohëse aty. Ne fatkeqësisht nuk kemi pasur qasje direkte në kryeqytetet e disa prej këtyre shteteve jonjohëse për t’ia shpjeguar procesin dhe planin e Kosovës.

Sidoqoftë, ne mirëpresim thellimin e angazhimit të NATO-s në Kosovë, përmes NALT-it dhe Bashkëveprimit të Zgjeruar.

KFOR-i po ashtu do të vazhdojë të qëndrojë në Kosovë dhe do të thellohet bashkëpunimi.

Transicioni i FSK-së është proces legjitim dhe gradual. Pas miratimit të ligjeve, FSK do të ketë transicion 10 vjeçar për të përmbushur kapacitetet e plota operacionale.

Kosova synon të jetë anëtare e NATO-s, i takon këtyre vlerave dhe do tê thellojë përpjekjet për këtë Qëllim Kombëtar.

Kosova dhe FSK është e gatshme që krah për krah me ushtritë e shteteve anëtare të NATO-s të ndihmojë paqen, sigurinë dhe stabilitetin në rajone të ndryshme nëpêr botë. /Lajmi.net/