“Anshlusi” diplomatik i Maqedonisë dhe Serbisë

Rruga e “Anshlusit” të saj diplomatik me Serbinë nuk ka vënë në diskutim vetëm përfaqësimin ndërkombëtar të saj në diplomaci. Me këtë marrëdhënie të çuditshme Shkupi zyrtar po prodhon në rajon për fqinjët e vet perceptime që dëmtojnë vetë atë.

Opinion

15/01/2014 22:10

Në mediat rajonale qarkulloi ditët e fundit lajmi se Maqedonia do të nënshkruajë një marrëveshje me Serbinë për një lloj “bashkimi diplomatik”. Vlerësimi fillestar ishte një ngritje supesh dhe rezervat ndihen më shumë korridoreve të politikës se sa në deklarimet zyrtare.

Nënkuptimi i kësaj marrëveshje është domethënës dhe nuk mund të shmanget. Në këtë marrëveshje midis Maqedonisë dhe Serbisë ajo që nuk thuhet është më e rëndësishme. Në 14 mars 1931, Gjermania dhe Austria nënshkruan një projekt-marrëveshje “Për njehsimin e kushteve doganore mes Gjermanisë dhe Austrisë”. Ky projekt u njoh si projekti Curtius-Schober.

Sipas këtij projekti, secili vend do të ruante administratën e tij doganore duke hequr çdo pengesë mes tyre. Ai ishte vetëm një projekt bashkimi doganor. Ky projekt shkaktoi një reaksion zinxhir negativ në Europë. Arsyeja ishte prishja e balancave të pas-Luftës. Dhoma e deputetëve të Francës votoi kundër një vendimi të tillë.

Thelbi i reagimit ishte një shprehja e artikullit të një prej politikanëve më të aftë të kohës, Eduart Herriot, të publikuar në “Ere Nouvelle” që thoshte: “Na marrin vërtet për gomerë, nëse besojnë se mund ta harrojmë se bashkimi politik i Gjermanisë u realizua përmes bashkimit doganor”.

Reaksioni i prishjes së balancave europiane të pasluftës e dërgoi projektin në fjalë në Këshillin e Lidhjes e Kombeve, ku Franca, Anglia dhe Italia shfaqën kundërshtimin e tyre të vendosur.

Situata nuk përfundoi me kaq. Ajo bëri që çështjen ta merrte në shqyrtim Gjykata e Hagës, e cila më 5 shtator 1931 deklaroi se marrëveshja e “bashkimit doganor” midis Gjermanisë dhe Austrisë nuk ishte në përputhje me Protokollin e Gjenevës të 4 tetorit 1922… Sot në rajonin e Ballkanit, nga Shkupi i mbushur me buste të kontestuara nga fqinjët e saj vjen një sinjal që duhet të çudisë më shumë maqedonasit se sa shqiptarët.

Qeveria maqedonase po shkon drejt një marrëveshjeje që flet për “bashkimin” e trupës diplomatike midis Maqedonisë dhe Serbisë dhe që flet më shumë se sa ndërtesat e përbashkëta diplomatike Serbi-Maqedoni.

Pyetja:“Çfarë do të thotë kjo marrëveshje?!” e ka tashmë përgjigjen “naive” nga burimet qeveritare të Shkupit. Ajo flet vetëm për “arsye financiare”.

Me këtë paqartësi, “arsyet financiare” mund ta shtyjnë Maqedoninë të vazhdojë me këtë precedent edhe më tej diplomacisë. Shkupi zyrtar po hap kështu një kapitull të çuditshëm për vetë statusin ndërkombëtar të Maqedonisë.

Rruga e “Anshlusit” të saj diplomatik me Serbinë nuk ka vënë në diskutim vetëm përfaqësimin ndërkombëtar të saj në diplomaci. Me këtë marrëdhënie të çuditshme Shkupi zyrtar po prodhon në rajon për fqinjët e vet perceptime që dëmtojnë vetë atë.

Ky vendim duket që lidhet me arsyetime politike të brendshme se sa me pozitën gjeopolitike të shtetit të ri ballkanik. Nëse dikush në Shkup mendon se po zhvillon me Beogradin një “paralele” balancuese të bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Kosovës bën gabim. Të dyja shtetet shqiptare nuk kanë asnjë interes ta shohin Maqedoninë fqinje si kundërshtare rajonale. Kjo balancë e re godet statusin “sfungjer” për të cilin ajo vlerësohej dhe vetë pozitën juridike të Maqedonisë si shtet.

“Anshlusi” diplomatik me Serbinë e barazon “moralisht” ish-republikën jugosllave me statusin e Kosovës ende jo anëtare e OKB-së. Pozicionimi i ri i Shkupit zyrtar do t’i kushtojë kohë të tepërt elitës maqedonase për të shmangur dyshimet e opinionit ndërkombëtar për rrethanat e “anshlusit” diplomatik me Serbinë. Janë dyshime të cilat e kanë trajtuar padrejtësisht në korridoret e diplomacisë ish-republikën jugosllave si vend “eksperimental”.

Projekti i “bashkimit diplomatik” me Serbinë shfaq një krizë personaliteti të Maqedonisë në marrëdhëniet ndërkombëtare. Ai vjen në një moment jo të mirë për Maqedoninë dhe synimet që ajo ka deklaruar për rolin e vet në rajon. Bashkimi diplomatik i Maqedonisë me Serbinë do të shikohet si proces i sapo hapur. Ai do ti kontribuohet edhe “mpirjes” së diplomacisë maqedonase nga strategjia e Greqisë fqinje në bllokimin e çdo përpjekjeje të Shkupit për të ecur përpara në integrimin e vendit në NATO dhe Bashkimin Europian.

Në këtë krizë përfaqësimi të diplomacisë maqedonase nuk do të mbetet mbrapa as Bullgaria fqinje, e cila po “zgjohet” në trajtimin e interesave të veta rajonale. Me këtë vendim të fundit Maqedonia do të ngjallë një reaksion zinxhir, koston e së cilës do ta paguajë po vetë.

Busti i Carit serb i vendosur “pa leje” ndërtimi në Shkup u bë parathënia e “anshlusit” diplomatik të Maqedonisë me Serbinë që lidhet edhe me “hobin” e Shkupit zyrtar për ngritje statujash. Kryeqyteti i Maqedonisë i ngjan një “dizneyland”-i ballkanik ku simbolikat busteve do të merren më seriozisht. Elita politike e Maqedonisë po drejtohet nga një logjikë imponuese që është e qartë vetëm në atë që nuk pëlqen. “Anshlusi” diplomatik me Serbinë nuk mund të trajtohet si një çështje “financiare”.

Ajo prek edhe interesat jofinanciare të kombit shqiptar në Maqedoni dhe më gjerë.  Lëvizja e diplomacisë maqedonase po rivlerëson rregullat e lojës në rajon e cila duhet të shqetësojë maqedonasit realistë. Në çdo rast, edhe falë “anshlusit” të nisur me Serbinë, kjo do ta rrezikonte vendin nga një proces “libanizimi” duke mbingarkuar marrëdhëniet e brendshme të vendit me atë të interesave të shteteve të saj fqinje.

Kjo nuk do ta ndihmojë pozitën e Maqedonisë si shtet. Marrëdhëniet e shqiptarëve dhe maqedonasve nuk kanë pse lidhen me ato midis serbëve dhe shqiptarëve.Serbia do të jetë spektatore përfituese në një situatë rajonale ku Beogradi i ka humbur pozitat e dikurshme t? ish-Jugosllavisë. Marrëdhënia midis maqedonasve dhe shqiptarëve është për shtetin maqedonas një çështje e sigurisë kombëtare.

Pakënaqësia e pritshme e shqiptarëve nga produkti psikologjik i “anshlusit” me Serbinë do të ketë pasoja për besimin e dy kombeve që formojnë Maqedoninë. Historia e Maqedonisë ka një diskutim të hapur në kohë të ndryshme në dallimin e asaj që duket dhe asaj që ka ndodhur në të vërtetë.

Problemi aktual i Maqedonisë nuk janë shqiptarët. Ai në radhë të parë është perceptimi që politikanët e saj kanë për vendin që qeverisin. Jam dakord me miq të mi në Maqedoni se kriza e identitetit të Maqedonisë eksportohet edhe nga Athina dhe Sofja, por besoj se “anshlusi” diplomatik me Serbinë do të bëjë që kjo të harrohet dhe justifikohet.

“Anshlusi” me Serbinë nuk bën “kalorës” të kristianizmit në rajon askënd. Në të kundërt, ai i jep vlerë kalit më shumë se sa kalorësit Aleksandër të vendosur në qendër të Shkupit. Kali mbi të cilin qëndron heroi Aleksandër i Maqedonisë duhet t’i kujtojë Shkupit zyrtar historinë e vjetër të Trojës.

“Anshlusi” serbo-maqedonas bën të qartë cilësinë e “lodhjes” së “Trojës” maqedonase.  Kush vlerëson sot në Shkup se në “betejat” e nesërme diplomatike me Athinën, Sofjen, Tiranën dhe Prishtinën zyrtare ka fituar një aleat si Beogradi duhet të mendohet dy herë.

Ti gëzohesh prishjes së rregullave është cilësi kalimtare. Publiku shqiptar në Maqedoni dhe më gjerë ka të drejtë ta shohë bustin e Carit serb në Shkup aspak si një ndërtim “pa leje”. Ky proces “diplomatik” serbo-maqedonas i sapo nisur do të rivlerësojë të lidhura me njëra-tjetrën mospranimin e heshtur të Shkupit zyrtar ndaj marrëveshjes së paqes shqiptaro-maqedonase të konfliktit të vitit 2002, që njihet ndryshe si Marrëveshja e Ohrit dhe refuzimit të njohjes së Kosovës nga Beogradi zyrtar.

Njohja e Pavarësisë së Kosovës dhe Marrëveshja e Ohrit janë akte fondamentale ndërkombëtare për të ardhmen dhe stabilitetin rajonal. Shteti maqedonas ka detyrime substanciale për trajtimin e kombit të dytë në vend që janë shqiptarët. “Anshlusi” diplomatik midis Serbisë dhe Maqedonisë për arsyet e ashtuquajtura financiare do të nxisë reflektime.

Një godinë ambasade nuk mund të prodhojë dy diplomaci të ndryshme, ku njëra njeh Kosovën si shtet dhe tjetra jo. Vendet e anëtare të Bashkimit Europian ende nuk janë duke “vrapuar” të integrohen kaq shpejt për të pasur godina ambasadash të përbashkëta. Ky proces “integrimi” diplomatik në zonën e paintegruar të Ballkanit ngjall veç ironi. Ajo duket si nisja e një lojë të re me rregullat e vjetra të ish-Jugosllavisë.

Kjo lojë cenon marrëdhënien midis shqiptarëve dhe maqedonasve për të ardhmen e përbashkët. Fati i Maqedonisë duhet të lidhë dhe respektojë njëkohësisht interesat e të dy kombeve që e përbëjnë vendin. Nuk është koha për frikë. “Anshlusi” i supozuar diplomatik me Serbinë nuk e ul atë. Ai shton pikëpyetjet. Sigurisht.

 

(Shekulli)