Anamorava nuk është Drenicë

Lutfi Haziri reagoi fort ndaj ndalesës që i është bërë LDK’së për ta përmbyllur fushatën zgjedhore në Stadiumin e Qytetit. Ai tha se ky është shantazhi dhe kërcënimi i fundit i këtij pushteti në ikje.

Lajme

27/10/2013 12:52

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për Kryetar të Gjilanit, Lutfi Haziri, sot në një konferencë shtypi, reagoi fort ndaj përgjigjes së autoriteteve lokale, të cilat nuk i kanë dhënë leje për ta mbajtur tubimin përmbyllës të kësaj partie në Stadiumin e Qytetit.

Haziri tha se ky është shantazhi dhe kërcënimi i fundit i këtij pushteti në ikje, siç e quajti ai.

“Pavarësisht kësaj do të nisemi në drejtim të stadiumit sepse populli po na përkrah masovikisht”.

“PDK’në e Gjilanit e ka kapur paniku dhe dehja nga tubimet tona masive dhe të shumta që po na përkrahin gjithkah në fshatra e qytete”.

“Në arsyetimin e pushtetit komunal shkruan se ne po mbajmë aktivitet propagandistik dhe ky është një gjest arrogance që po demonstron pushteti në ikje”.

”Kjo arrogancë dhe sjellje e tepruar nuk e ndalë LDK’në asnjëherë nga synimi i saj sepse nëse na mbyllen dyert e stadiumit do ta vërshojmë tërë qendrën e qytetit”.

“Ende ka kohë dhe unë shpresoj se të mërkurën do të jemi në stadiumin e qytetit sepse pjesëmarrja masive e tubimeve të LDK’së e ka dehur pushtetin në ikje”.

Haziri tha se ky pushtet nuk mundet dhe as nuk guxon të mbyllë portat e pronës publike.

”Ne do të ndërpresim më të gjitha komunikimet me pushtetin derisa ata mos të kthejnë një përgjigje të arsyeshme dhe të bazuar në ligj”

Lutfi Haziri, në këtë konferencë, po ashtu akuzoi Kryeministrin Hashim Thaçin, i cili sipas tij, po i shantazhon qytetarët e Gjilanit me presionet që po ju bënë atyre.

”Thaçi duhet ta kuptojë se Gjilani dhe Anamorava nuk janë Drenicë që të lozë me ta kur të dojë dhe si të dojë”.

“Këto shantazhe janë të fundit që mund t`i ndodhin Gjilanit”.