Analistët qesin “fall” nëse Thaçi do të zgjidhet president apo jo

Lideri i PDK-së nuk po shprehet i sigurt si më parë, “se do të zgjidhet president i Republikës së Kosovës”. Ai ka ndryshuar diskursin rreth ripozicionimit të tij politik kohëve të fundit.

Lajme

03/09/2015 08:08

Analistët dhe përfaqësuesit politikë, japin parashikime të ndryshme rreth së ardhmes politike të zv.kryeministrit aktual në qeverinë e Kosovës.

Hashim Thaçi, pavarësisht marrëveshjes së nënshkruar me Isa Mustafën për t’u zgjedhur president i Republikës së Kosovës në fillim të vitit 2016, nuk po e thotë me këmbëngulje nëse do të ulet në “kolltukun” e të parit të shtetit.

Ai ka ndryshuar qasjen ditëve të fundit, pasi nuk përmend me aq siguri si më parë pozitën e presidentit.

Analistët politikë e kanë vërejtur tërheqjen e fundit të tij. Madje në një nga debatet e fundit televizive nuk është shprehur i sigurt se do të zgjidhet president i Kosovës. Sipas kritikëve të politikës, Thaçi mund të ketë arsye të ndryshme të mos jetë i sigurt për pozitën e presidentit. Disa nga ata e lidhin të ardhmen politike të Thaçit me raportet jo të mira me kreun e Kuvendi të Kosovës, Kadri Veseli. Disa analistë dyshojnë në një aktakuzë të mundshme nga Gjykata Speciale. Por ka nga ata që besojnë se mos uniteti i të gjithë deputetëve të LDK-së për ta përkrahur kandidaturën e tij nuk i jep siguri për këtë pozitë.

“Faktorë tejet të rëndësishëm dhe përcaktues në zgjedhjen e presidentit të ardhshëm do të jenë vendimet që priten të nxirren në fillim të vitit që vjen nga Gjykata Speciale, të cilat do të ndikojnë edh enë konfigurimin e skenës së ardhshme politike, duke përfshirë këtu edhe zgjedhjen e presidentit”, ka thënë për gazetën “Zëri”, analisti politik, Imer Mushkolaj.

“Nuk besoj se Thaçi do t’i hyjë garës për president, pavarësisht marrëveshjes politike që është arritur në mes të partnerëve të koalicionit, për shkak se një kandidaturë e tillë do t’ia humbiste fuqinë brenda partisë në shkëmbim të një pozicioni me kompetenca të kufizuara”, ka thënë ai.

Sipas këtij të fundit, në kohën kur do të dilet me kandidatura, Thaçi do të tërhiqet pikërisht për shkak të kompetencave të kufizuara që ka posti i presidentit dhe për faktin se partia do të kalojë në duart e zëvendësit të tij, Kadri Veseli.

Ndërsa analisti nga KIPRED, Alber Krasniqi, thotë se marrëveshja e arritur mes partnerëve të koalicionit, që Thaçi të zgjidhet president do të jetësohet.

Nuk besoj se do të ketë ndonjë problem në zgjedhjen e Thaçit president”, ka thënë ai, duke shtuar se sfiduese do të jetë vetëm prezenca e 2/3 të deputetëve në sallën e Kuvendit. /Zëri