Amerika do reforma të brendshme

Presidentja Atifete Jahjaga priti Zëvendës Ndihmësin e Sekretarit Amerikan të Shtetit, Hoyt Yee. Ai tha se shteti i tij dëshiron që ta shohë Kosovën në BE.

Lajme

21/11/2013 15:39

Presidentja Atifete Jahjaga sot u takua me Zëvendës Ndihmësin e Sekretarit Amerikan të Shtetit  Hoyt Yee.

Në këtë takim Presidentja Jahjaga çmoi lart përkrahjen e SHBA’ve ndaj shtetit të Kosovës në të gjitha fushat. Jahjaga e njoftoi Yee për dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Ajo tha se rezultatet e para të këtij dialogu kanë filluar të shihen, sepse u mundësua që të zhvilloheshin zgjedhjet lokale edhe në veri të vendit.

Zgjedhjet lokale Presidentja i cilësoi si përgjithësisht të lira dhe të drejta ku qytetarët kanë pasur mundësinë që të votojnë për përfaqësuesit e tyre legalë e legjitim. Jahjaga tha se komuniteti serb në veri të vendit, duke shfrytëzuar të drejtën e tyre kushtetuese dhe ligjore të të votuarit, po përmbyllin procesin e integrimit të tyre në shoqërinë dhe në institucionet e Kosovës.

Presidentja Jahjaga tha se zbatimi i plotë i marrëveshjes së 19 prillit të arritur në Bruksel, do të çojë drejtë normalizimit të plotë të marrëdhënieve në mes të dy shteteve, por ky proces sipas saj, duhet të mbikëqyret nga afër, sepse vetëm në atë të këtij dialogu do të mund të hapet rruga e integrimeve për të dyja shtetet.

Presidentja Jahjaga tha se dialogu do të përmbyllet me nënshkrimin e një marrëveshjeje ligjore që do të mundësonte që edhe Kosova por dhe Serbia të vazhdojnë rrugën e tyre drejt integrimit në BE, pa e bllokuar njëra-tjetrën. Ajo theksoi se normalizimi i plotë i marrëdhënieve duhet të arrihet para procesit të anëtarësimit të Kosovës dhe Serbisë në BE.

Presidentja Jahjaga, tha se prania e SHBA’ve në procesin e dialogut, përkrahë shumë letësuesit e dialogut, pra BE’në.

Zëvendës ndihmës sekretari i shtetit, Hoyt Yee vlerësoi të arriturat e Kosovës dhe tha se SHBA’ja do të vazhdojë që të ndihmojë Kosovën edhe në proceset që ajo si shtet op kalon.

Ai gjithashtu vlerësoi dhe inkurajoi që Kosova të vazhdojë të punojë drejt demokratizimit të vendit dhe t’i thellojë reformat e saj të brendshme.

Hoyt Yee tha se shteti i tij dëshiron që ta shoh Kosovën në BE, njësoj sikurse do që t’i shohë edhe të gjitha shtetet e rajonit të anëtarësuara në këtë organizatë.