Ambasadorja Rudi prezantoi letrat kredenciale pranë MPJ-së të Panamasë (Foto)

Ambasadorja Zana Rudi prezantoi kopjet e letrave kredenciale pranë Ministrisë së Punëve Jashtme të Panamasë.

Lajme

21/01/2017 14:33

Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Panama, Zana Rudi, takoi sot zëvendës shefin e protokollit,  Francisco Torres dhe zëvendësministrin e Punëve të Jashtme në cilësinë e tij si Ministër i ngarkuar, Luis Miguel Hincapié.

Ambasadorja Rudi parakaloi pranë Gardës së Nderit drejt bustit së Gjeneralit Simon Bolivar në sheshin “Los Libertadores” brenda ndërtesës së Ministrisë së Punëve të Jashtme të Panamasë. Pas përfundimit ceremonisë, Ambasadorja Rudi u prit nga shefi i ngarkuar i protokollit të shtetit, z. Francisco Torres, me të cilin biseduan lidhur me marrëdhëniet e shkëlqyeshme në mes të Kosovës dhe Panamasë. Ambasadorja Rudi dheshefi i protokollit biseduan edhe rreth vizitave të ardhshme ministrore në kuadër të forcimit të bashkëpunimit në mes dy shteteve.

Më pas, Ambasadorja Zana Rudi u prit nga Zëvendësministri i Punëve të Jashtme në cilësinë e tij si Ministër i Ngarkuar i Punëve të Jashtme, Luis Miguel Hincapié.

Në këtë takim, Ambasadorja Rudi prezantoi kopjet e letrave kredenciale duke filluar kështu detyrën në udhëheqje të misionit diplomatik të Republikës së Kosovës në Panama.

Krahas falënderimit për përkrahjen që Republika e Panamasë i ka ofruar Republikës së Kosovës ndër vite, Ambasadorja Rudi i përcolli Zëvendësinistrit përshëndetjet e përzemërta të Ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, SH.T.Z. Enver Hoxhaj.

Zëvendësministri i uroi mirëseardhje Ambasadores Rudi duke ritheksuar mbështetjen e pa rezerve që Republika e Panamasë do të vazhdojë të jap për Kosovën drejt forcimit të pozicionit ndërkombëtar dhe sigurimit të vendit të saj meritor në sferën multilaterale.