Ambasadori rus në Tiranë: Shqiptarët e duan kulturën ruse

Ambasadori i Rusisë në Tiranë, Alexander Karpushin, ka folur për marrëdhëniet e shtetit të tij me Shqipërinë. Ai pranon se është “dobësia e diplomacisë ruse pse marrëdhëniet Rusi-Shqipëri nuk janë aty ku duhen”.

Lajme

16/02/2016 10:39

Karpushin thotë se marrëdhëniet kulturore ndërmjet dy vendeve, mund të çojnë përpara edhe marrëdhëniet politike Rusi-Shqipëri.

“Shpresoj se brenda këtij viti do të arrijmë të organizojmë në Tiranë sesionin e radhës të Komisionit Ndërqeveritar Rusi-Shqipëri për Tregtinë, Bashkëpunimin Ekonomik dhe Tekniko-Shkencor, në kuadër të të cilit palët mund të shqyrtonin mundësinë e realizimit të projekteve të përbashkëta”, ka deklaruar Karpushin për gazeta ‘Shqip’.

Ai shton se është në dorë të Qeverisë shqiptare që të ndodhë heqja e kundërmasave të Rusisë, pasi Shqipëria iu bashkua vendimit të BE-së për restrikcione antiruse.

Për sa i përket rolit të kulturës, Karpushin thotë se me të vërtetë është shumë i rëndësishëm.

“Dialogu kulturor zakonisht është shumë herë më i efektshëm sesa ai politik. Dhe kjo është veçanërisht aktuale në rastin e marrëdhënieve ruso-shqiptare. Shqiptarët e duan dhe e respektojnë kulturën ruse. Sa herë që Ambasada jonë organizon aktivitete kulturore që kanë të bëjnë me muzikën ose letërsinë, ato ngjallin gjithmonë një interes të jashtëzakonshëm tek publiku shqiptar”, është shprehur Karpushin.

Ai shpreson se shkëmbimet kulturore midis vendeve do të marrin një shtysë të re, meqë po planifikojnë të nënshkruajnë Programin e Bashkëpunimit ndërmjet ministrive të kulturës së Rusisë dhe Shqipërisë për periudhën 2016-2018. /lajmi.net