Ambasadori norvegjez: Të gjitha partitë të japin kontribut për dialogun edhe nëse nuk bëhen pjesë
Ambasadori i Norvegjisë në Kosovë, Per Strand Sjaastad, ka kërkuar nga spektri politik në vend, konsensus për qasjen ndaj dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Lajme
Diplomati norvegjez thotë se jo të gjitha partitë duhet të jenë pjesë e dialogut, por sipas tij, kontributi i tyre në këtë proces është i nevojshëm.
Ai dha mesazh të qartë se Kosovës nuk i nevojiten politikan të korruptuar, por të përgjegjshëm dhe llogaridhënës.
“Janë disa mësime kyçe që janë mësuar në vende kyçe, ku është fjala për vendet si Kosovë. Një mësim i përgjithshëm është se duhet arritur besimi i njerëzve në politikanë, se atë çfarë e thonë do e realizojnë. Është koha të bëjmë reforma të qëndrueshme dhe afatgjate në sektorë të caktua. Duhet të kemi politikan të përgjegjshëm dhe llogaridhënës jo të korruptuar. Kosova duhet të ketë më shumë konsensus sa i përket dialogut me Serbinë. Jo të gjitha partitë duhet të jenë pjesë e dialogut mirëpo kontributi i të gjithëve është i nevojshëm. Politikanët duhet të marrin vendime të vështira kur nga ato përfiton shoqëria”, tha ai, raporton Ekonomia Online.
Në lansimin e projektit “Avancimi i institucioneve të Kosovës, demokratizimi dhe bashkëpunimi rajonal” nga Grupi për Ballkan, ambasadori i Norvegjisë, Per Strand Sjaastad, shtoi se ky projekt ka të bëjë me forcimin e institucioneve.
“Grupi për Ballkanin ka një qasje të gjerë ndaj dialogut. Ky projekt i ri ka të bëjë me forcimin e institucioneve, bashkëpunimin rajonal. Kosova ka shumë burra dhe gra të fuqishëm, Kosova poashtu ka nevojë të ketë institucione të forta. Historia tregon se asnjë vend nuk mund të forcohet pa institucione të forta, ashtu ndodhë edhe me Kosovën. Kosova ka bërë hapa të progresit pas pavarësisë, mirëpo përmirësimet e mëtejshme janë të mirëseardhura”, pohoi ambasadori norvegjez në Kosovë.
Të pranishëm gjatë lasnisimit të këtij projekti ishin edhe përfaqësues politik në vend.Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, e ka mirëpritur këtë projekt, teksa tha se programi si i tillë, do të ndihmoj për konsensus për tema të ndryshme në Kosovë.
“Edhe programi i ri që po niset sot e ka rëndësinë e vet sepse në dinamikat e qëllimeve të mëdha po pengojnë në përditshmërinë tonë. Ne kemi plotë sfida në Kosovë dhe sfida kryesore është ngecja në implementim, mirëpo duke qenë kështu bashkë si sot ne do ta shfrytëzojmë çdo mundësi që të ecim përpara. Kjo është më shumë shpresë për konsensus dhe dritare e re për të punuar së bashku në implementimin e vizionit të përbashkët”, tha Haradinaj. Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, tha se në Kosovë ka konsensus për dialog, mirëpo sipas tij, mungon parimi për negociata.
“Në Kosovë ka konsensus të plotë. Për dialog, në Kosovë mungon parimi për negociata. Kjo po na mbanë të veçuar neve si LDK. Mas dy dekadave interesi ynë është në diversitet. Tash në ketë fazë të procesit Norvegjia vazhdon të luaj rol te jashtëzakonshëm në Kosovë”, u shpreh Haziri, raporton EO.
Përndryshe, projekti është i strukturuar në tri komponentë kryesor: mbështetje për dialogun politik, bashkëpunimin rajonal, përmirësimin e ndarjes së pushteteve, kontrollit dhe balancimi ndërmjet tyre.