Ambasadori kinez në Beograd: Duhet kohë e gjatë për marrëveshjen Kosovë-Serbi

Ambasadori kinez në Beograd, Li Mancheng ka thënë sot se arritja e një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë do të marrë kohë më shumë se disa muaj. Krejt kjo, sipas tij, është për shkak të rëndësisë dhe brishtësisë së kësaj çështjeje.

Lajme

29/07/2018 13:52

“Për një pikëpyetje aq të madhe, nuk duhet të lejohet që çështja të zgjidhet brenda pak muajsh. Normalisht, nëse Beogradi dhe Prishtina pajtohen në 10 ditë, i përgëzoj”, ka thënë Mancheng.

“Kina ka pritur gati 100 vjet për ta zgjidhur problemin me Hong Kongun, dhe një çështje e tillë është zgjidhur më 1997”, ka thënë ai.

Ai tutje ka shtuar se Kosova është çështja kryesore për shtetin serb, duke përsëritur se nuk duhet dhënë afate për arritjen e marrëveshjes së pritur, transmeton lajmi.net.

“Është opinioni personal, jo zyrtar. Kur është puna te çështja e Kosovës, kjo i referohet sovranitetit dhe integritetit territorial të Serbisë, kjo është çështja kryesore për këtë shtet, Qeverinë dhe njerëzit këtu”, ka thënë Mancheng.

Ndryshe, gjatë ditës së djeshme ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq ka deklaruar se në dialogun me Serbinë nuk është e nevojshme përfshirja e fuqive të mëdha, SHBA-së, Kinës dhe Rusisë.

Ai gjithashtu deklaroi se në takimin në Uashington nuk është diskutuar ndarja e Kosovës.