Ambasadori britanik: Liria e medias përfaqëson kauzë të madhe njerëzore

“Liria ka një çmim dhe dikush e ka paguar me gjak”, kanë qenë fjalët e ambasadorit britanik në Kosovë, Ruairi O’Connell, pas nderimeve bërë në Viti te monumenti i ish-gazetarit të AP-së, Kerim Leëton, i vrarë në fshatin Krivenik të Hanit të Elezit, në vitin 2001, gjatë raportimit për konfliktin e armatosur në Maqedoni.

Lajme

03/05/2015 19:35

Me rastin e shënimi të Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, ku morën pjesë dhe pjesëtarë nga shoqëria civile, institucionet qendrore e lokale, ambasadori britanik O’Connell, tha se kjo nuk përfaqëson vetëm lirinë e shtypit, por një kauzë më të madhe njerëzore.

Me rastin e kësaj dite, Klubi i Gazetarëve “Kerim Leëton” në Viti organizoi një tryezë me temën “Sfidat e shtypit të lirë nga këndvështrimi i gazetarëve, shoqërisë civile dhe institucioneve”, ku ndër të tjera u kërkua që të krijohet një ambient sa më i përshtatshëm për punën e gazetarëve, që ata të mos kenë pengesa në misionin e tyre për të mbajtur të informuar qytetarin.

Deputeti i PDK-së, Zenun Pajaziti, njëherit edhe kryetar i Komisionit Parlamentar për Media, tha se aty ku përfundon liria e gazetarit, aty përfundon edhe shpresa.

Gazetarët në Kosovë, sipas drejtorit të Bordit të RTK-së, Ismet Bexheti vazhdon të ketë probleme, por krahasuar me vitet e pasluftes, gjendja është ndjeshëm më e mirë. (lajmi.net)