Ambasada e Amerikës në Beograd i thotë Serbisë të mos e pengojë Kosovën në UNESCO

Ambasada e Amerikës në Beograd i thotë Serbisë të mos e pengojë Kosovën në UNESCO.

Lajme

17/10/2015 00:03

Ambasada Amerikane në Beograd i ka ftuar të gjitha palët e përfshira në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit të përqendrohen në thelbin e çështjeve problematike, siç është synimi i Kosovës për t’u anëtarësuar në UNESCO, duke iu shmangur qasjeve provokuese të cilat i mbyllin të gjitha rrugët e bashkëpunimit.

Siç theksohet në deklaratë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës fuqishëm e përkrahin aspiratën e Serbisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian.

“Ne e përshëndesim përkushtimin e Kryeministrit Aleksandar Vuçiq që të vazhdohet në këtë rrugë, që të cilën e ka prezantuar gjatë takimit me shefin e delegacionit të BE-së dhe ambasadorët e Kuintit”.

Gjithashtu, potencohet se SHBA “si njëra ndër palët që e përkrahin Serbinë në këtë proces, është e vetëdijshme për punën e palodhshme në realizimin e reformave të vështira të cilat janë të domosdoshme për ta arritur këtë qëllim”, njofton Klan Kosova.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës e përkrahin dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Ky proces përfshin çështje komplekse dhe të vështira, për të cilat tashmë është arritur një përparim i dukshëm. Ne iu bëjmë ftesë të gjitha palëve që të përqendrohen në thelbin e çështjeve problematike, siç është synimi i Kosovës për t’u anëtarësuar në UNESCO, duke iu shmangur qasjeve provokuese të cilat i mbyllin të gjitha rrugët e bashkëpunimit”.