Akuzat e Postës, arsyetohet Ministria e Punës

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, nëpërmjet një komunikate për media sqaron arsyet pse deri më tani nuk është bërë shpërndarja e ndihmave sociale nëpërmjet Postës, ashtu siç ishte paraparë më herët.

Lajme

26/04/2016 19:10

“Lidhur me shpërndarjen e ndihmave sociale, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, ka ndërmarrë të gjitha veprimet konform legjislacionit në fuqi, për të siguruar një proces të hapur dhe transparent, duke ofruar trajtim të barabartë në procesin e përzgjedhjes për të gjithë operatorët ekonomikë të interesuar që do të marrin pjesë”, thuhet në komunikatë për media.

MMPS njofton opinionin se pretendimet e Postës së Kosovës, për parregullësi në këtë proces, janë duke u shqyrtuar nga organet kompetente për trajtim e këtyre rasteve si: Organi Shqyrtues i Prokurimit dhe Agjencia Kundër Korrupsionit për të cilën MPMS, është në pritje të vendimit të këtyre organeve.

“Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, shpreh keqardhje për presionet e vazhdueshme dhe të paarsyeshme të Postës së Kosovës në drejtim të MPMS-së dhe fton Pos tën e Kosovës, që të mos e akuzojë MPMS-në për keqmenaxhim apo për ngarkesë të sigurimit të pagave të punëtorëve të Postës, sepse çështja e pagave dhe e menaxhimit të vetë ndërmarrjes së Postës së Kosovës janë dhe mbesin probleme të Postës së Kosovës të cilat duhet zgjidhur konform ligjeve dhe procedurave të parapara ligjore në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftim.

Ndryshe për nesër puntorët e Postës kanë paralajmëruar protestë para ndërtesës së Ministrisë së Punës./Kp