Aktakuzë ndaj tre personave për krim të organizuar

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë pranë Departamentit për Krime të Rënda të Gjykatës Themelore në Ferizaj, kundër të pandehurve Qazim Beqaj, Gazmen Halimi dhe Qerim Ramani për krim të organizuar.

Lajme

02/02/2015 17:18

Sipas një komunikatë nga Prokuroria Speciale e Kosovës, të pandehurit Qazim Beqaj e Gazmend Halimi, si grup i strukturuar e i organizuar kriminel, së bashku me persona NN nga Republika e Shqipërisë, me qëllim që vetes t’i sjellin përfitime financiare të drejtpërdrejta, gjatë vitit 2011 disa personave nga Republika e Kosovës, të cilët kanë dashur të udhëtojnë jashtë vendit, në këmbim të shumave të ndryshme financiare, u kanë siguruar pasaporta të Republikës së Shqipërisë.

Me këtë, së bashku me personat NN nga Republika e Shqipërisë, ata kanë kryer veprën penale “Krim i organizuar” dhe “Kontrabandimi me emigrantë”.

Sipas aktakuzës, të pandehurit Gazmend Halimi e Qerim Ramani, me qëllim që vetes t’i sjellin përfitime pasurore të kundërligjshme, një të dëmtuari i kanë paraqitur fakte të rrejshme se kanë një të njohur në Policinë e Shqipërisë dhe se munden t’ia rregullojnë pasaportën e Shqipërisë për shumën prej 5,000 eurove.

I dëmtuari ka kundërshtuar t’ia japë këtë shumë të të hollave dhe të pandehurit disa herë kanë shkuar te shtëpia e të dëmtuarit, duke i bërë presion dhe duke e kërcënuar që t’ua japë të hollat. I dëmtuari nga frika ka arritur të sigurojë dhe t’ua japë 2,300 euro.

Po sipas aktakuzës, Halimi, duke u paraqitur rrejshëm si person zyrtar i lartë në Policinë e Kosovës, ka vënë në lajthim disa persona, duke u thënë se në këmbim të shumave të caktuara financiare ai mund t’ua lirojë të afërmit nga paraburgimi.

Me këtë ky i pandehur ka kryer veprat penale“Prezantimi i rremë si person zyrtar” dhe “Mashtrim” .

Të pandehurve u janë gjetur edhe armë. Të pandehurit Halimi i është gjetur një pushkë automatike AK 47, me 12 fishekë dhe një mortajë dore. Edhe të dyshuarve tjerë u janë gjetur armë të ndryshme.

Aktakuza është ngritur nga një prokuror vendës i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, i cili i ka propozuar Gjykatës që, pas administrimit të provave dhe përfundimit të shqyrtimit gjyqësor, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të gjykohen sipas ligjit.