Aktakuzë ndaj personave që shantazhuan doktorin në Gjilan

Prokuroria Themelore në Gjilan, pas zhvillimit të hetimeve, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve F.K. dhe M.K., për shkak të veprës penale ‘’Shantazhi’’.

Lajme

14/12/2018 15:34

Sipas aktakuzës, më 14 nëntor në ordinancën e Pulmologjisë, në Spitalin Regjional në Gjilan, e pandehura F.K., me dashje ka ndërmarrë veprime për të kryer këtë vepër penale, në atë mënyrë që fillimisht shkon në ordinancën e të dëmtuarit E.E., për t’u kontrolluar, pastaj e provokon duke e prekur në pjesë intime dhe veprimet e saj i incizon me telefon, të cilin incizim pastaj ia jep bashkëshortit të saj.

”I pandehuri M.K., me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, fizikisht dhe përmes telefonit, e ka kanosur të dëmtuarin, se nëse ai nuk ia jep 2.000 (dymijë) euro, i njëjti do t’ia zbulonte një video incizim, i cili do të dëmtonte nderin dhe autoritetin e të dëmtuarit, me ç’rast fillimisht i’a merr 1.000 (njëmijë) euro, e më pas i kërkon edhe pjesën tjetër të të hollave, e që të njëjtat i dëmtuari i’a jep më 19 nëntor 2018, në një kafene, ku edhe kapet në flagrancë së bashku me bashkëshorten e tij, nga ana e zyrtarëve policor”.

Prokuroria ka kërkuar nga gjykata, që të pandehurit të shpallen fajtorë për veprën penale, e cila i’u vihet në barrë dhe të njëjtëve t’iu shqiptojë sanksion penal, me të cilin do të arrihej qëllimi i dënimit. /Lajmi.net/