Aksident në Laprakë, humb jetën një 28-vjeçare

Një aksident i rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në Tiranë.

Lajme

05/01/2017 09:22

Ngjarja ndodhi rreth orës 01:30, në kryqëzimin e Laprakës, ku si pasojë e përplasjes së dy automjeteve humbi jetën 28-vjeçarja me iniciale Xh.T.

Policia ka arrestuar 26-vjeçarin Ervin Bixhi, i cili, duke drejtuar nën ndikimin e alkoolit automjetin tip “Jeep” në rrugën “Dritan Hoxha”, është përplasur me automjetin tip “Jeep”, me drejtues shtetasin Gj. K., 42 vjeç, me detyrë oficer policie, i cili ndodhet në Spitalin e Traumës jashtë rrezikut për jetën.

Si pasojë e përplasjes ka mbetur e plagosur edhe shtetësja me iniciale F. F., 25 vjeç, banuese në Tiranë, e cila ndodhet në Spitalin e Traumës jashtë rrezikut për jetën.

Të dyja shtetaset e lartëpërmendura ishin pasagjere në automjetin e Ervin Bixhit. / Top Channel