AKR thotë se babai i sulmuesit është pjesë e PDK-së (Dokument)

Dega e Aleancës Kosova e Re në Mitrovicë thotë se personi që sulmoi sot kreun e Mitrovicës, Agim Bahtiri është aktivist i PDK-së.

Lajme

16/03/2015 22:27

Përmes një reagimi për media, dega e AKR-së në Mitrovicë pranon se Adem Dibrani ka qenë për një kohë të shkurtër pjesë e aktiviteteve zgjedhore të partisë së tyre, por më vonë ky nuk ka marrë pjesë në to, pasi që, siç thonë ata, “familja e tij është rikthyer në PDK”.

Ata këtë gjë e dëshmojnë me një dokument të PDK-së në Mitrovicë, ku janë të publikuar emrat e aktivistëve të PDK-së.

Aty figuron edhe emri i Jetullah Dibranit, i cili është babai i Ademit që sot e sulmoi Agim Bahtirin. Më poshtë mund të lexoni reagimin e plotë të ARK-së, dega në Mitrovicë:

Dega e Aleancës Kosovare e Re në Mitrovicë dënon ashpër sulmin ndaj kryetarit të komunës, Agim Bahtirit, sulm i cili vije në vazhdën e sulmeve të orkestruara të degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Mitrovicë.

AKR shpreh zhgënjimin e thellë, se si një parti opozitare si PDK-ja, e cila ka qeverisur me Mitrovicën për dy mandate bie në nivel të tillë të sulmeve, ku përveç sulmeve politike, tash nxit edhe sulme fizike.

PDK-ja ka publikuar disa fotografi të sulmuesit Adem Dibrani, ku shihet ai në disa fotografi në aktivitete të AKR-së. Mirëpo, ne njoftojnë opinionin se ky person ka qëndruar shumë shkurt në aktivitete zgjedhore të AKR-së, ndërsa nga gjysma e vitit të kaluar nuk ka marrë pjesë në asnjë aktivitet të AKR-së, pasi që familja e tij është rikthyer në PDK.

Se sulmuesi Adem Dibrani dhe familja e tij janë pjesë e PDK-së, mund të shihet edhe në foto-dokumentin e nxjerrë nga faqja 348 e librit të degës së PDK-së në Mitrovicës: “Pasqyra e Strukturës së Degës dhe Analiza e Zgjedhjeve 2007-2014” të publikuar në janar të këtij viti, ku shihet emri i Jetullah Dibranit që është babai i sulmuesit.

Për fund, në çdo parti mund gravitojnë eksponentë të caktuar në fushata zgjedhore, por se sulmuesi në momentin e sulmit bashkë me familjen e tij janë pjesë e PDK-së, e dëshmon ky dokument i publikuar nga vet PDK-ja.

Dega e AKR-së iu bënë thirrje organeve të drejtësisë, që sa me shpejtë ta ndriçojnë rastin dhe fajtorët ta marrin dëniminin e merituar

Të Bashkëngjitur keni faqen 348 të librit, por edhe komplet librin.