AKP’ja nuk ka marr shkresë zyrtare nga Qeveria

Ylli Kaloshi nga AKP thotë se as Qeveria as Kuvendi nuk e kanë njoftuar zyrtarisht se si duhet të veprojë kjo Agjenci karshi punëtorëve të Fabrikës së Gypave. Gjykata Kushtetuese obligon që punëtorëve të ju shpërndahen 25 milionë euro nga privatizimi.

Lajme

21/03/2014 07:36

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese e cila u jepte të drejtë punëtorëve të Fabrikës së Tubave nga Ferizaji, u soll nga Qeveria për debat në Kuvend të mërkuren.

Deputetët votuan që AKP’ja do të duhet të zbatoj vendimin e Kushtetueses, dhe të ju jepen 25 milionë euro punëtorëve të kësaj fabrike.

Por, në AKP nuk ka ardhur asnjë vendim as nga Kuvendi dhe as nga Qeveria, e cila do të obligonte këtë Agjenci që të zbatonte vendimin e Kushtetueses.

“Agjencia Kosovare e Privatizimit ka përcjellë me vëmendje debatin e zhvilluar dje në Kuvendin e Kosovës për çështjen e punëtorëve të ndërmarrjes shoqërore “IMK Fabrika e Tubave të Çelikut” në Ferizaj, mirëpo nuk ka informacione të plota për konkluzionet e dala nga ky debat, pasi që akoma nuk ka pranuar ndonjë shkresë zyrtare nga ana e Kuvendit apo Qeverisë”.

“Menjëherë pas pranimit të njoftimit në formë zyrtare nga institucionet e lartpërmendura, Agjencia do t’i shqyrtojë ato dhe do ta bëjë publike qëndrimin zyrtar lidhur me këtë çështje, gjithnjë në përputhje me mandatin e vet ligjor dhe ligjet në fuqi”, ka thënë Ylli Kaloshi për “Koha Ditore”.

“Koha Ditore” raporton sot, se 25 milionët ka gjasa të mos u jepen punëtorëve. Një burim i gazetës ka thënë se 25 milionët AKP’ja nuk mund t’i alokojë në Qeveri për shkak të mungesës së një anëtari të Bordit.

Ai thotë se ose duhet ndryshuar ligji për ndërmarrje shoqërore, ose duhet gjetur një anëtar i ri ndërkombëtar për Bordin e AKP’së, në mënyrë që të mund të bëhet shpërndarja e këtyre parave.

“Në dispozicion për Fabrikën e Tubave është vetëm shuma nga shtija e saj, normalisht duke e hequr vlerën e  20 përqindëshit, e cila u takon punëtorëve. Ajo pjesë përmes procedurës së likuidimit mund t’u alokohet punëtorëve”.

“Por as ato mjete nuk mund t’u paguhen punëtorëve dhe as mjetet shtesë nuk mund të barten në Qeveri, në mungesë të anëtarit të tretë ndërkombëtar të Bordit të AKP’së. Duhet ose të emërohet një anëtar ndërkombëtar, ose duhet të ndryshohet ligji. Në të kundërtën, nuk mund të bëhen pagesa për likuidimin e ndërmarrjeve shoqërore dhe as derdhja e mjeteve shtesë në Buxhetin e Kosovës”, ka thënë një burim për “Koha Ditore”.