AKP i jep ultimatum RTK-së që për pesë ditë të lëshojnë objektin

Agjencia Kosovare e Privatizimit brenda dy ditëve do të nxjerrë me forcë punëtorët dhe menaxhmentin e RTK-së nga objektet ku janë duke funksionuar. Kështu së paku thuhet në një ultimatum të cilin kjo Agjenci ia ka drejtuar Drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së.

Lajme

23/05/2016 19:37

Në vendimin e AKP thuhet taksativisht se: Asetet e Ndërmarrjes Shoqërore “Radio Televizioni I  Prishtinës”, janë duke u shfrytëzuar aktualisht nga RTK-ja, sipas të dhënave në dispozicion të AKP-së evidentohen në pronësi të Ndërmarrjes Shoqërore të RTP-së. Kjo nënkupton se shfrytëzimi pa bazë ligjore nga ana e RTK-së i aseteve në çfarëdo forme paraqet posedim të paligjshëm apo uzurpim. Më tej në vendim e AKP-së, kërkohet që RTK të paguaj qiranë AKP-së për kohën e shfrytëzuar deri më tash si dhe të hy në marrëdhënie kontraaktuele të qirasë me AKP. Ndryshe sipas AKP-së, brenda afatit 5 ditësh duhet të lirohet objekti i RTK-së. Ne vendimin e AKP gjithashtu thuhet se nëse RTK nuk liron hapësirat e AKP-së në mënyrë vullnetare atëherë AKP do të intervenojë së bashku me Policinë e Kosovës.

Drejtori gjeneral i RTK-së, Mentor Shala, ka deklaruar se ky është presion i radhës ndaj Transmetuesit të vetëm publik dhe vjen pikërisht në kohen kur duhet të zgjedhën anëtaret e rinj të menaxhmentit të RTK-së dhe në kohen kur ligji i RTK-së është në procedurë të ndryshimit për të gjetur zgjidhjen e financimit.

Sipas Shalës, RTK nuk ka si të jetë uzurpator, pasi që në këto objekte i ka vendosur fillimisht UNMIK-u pa e pyetur fare menaxhmentin e RTK-së. Shala thotë se ky është një mesazh i Qeverisë që ne ta mbyllim gojën e mos të kërkojmë rritje të buxhetit se munden të na qesin krejt jashtë edhe objekteve.

DokumentiShala thotë se të kërcënohesh si medium mjaft kredibil se me forcë policore do të largohen punëtorët dhe të gjitha pajisjet teknologjike tregon për arrogancën e një institucioni që i jep përgjegjësi institucioneve qeverisëse. Ky kërcenim nënkupton mbyllje të RTK-së, prandaj edhe njëherë i bëjmë thirrje Kuvendit të Kosovës dhe Qeverisë së Kosovës që mos ta bllokojnë procesin e miratimit të ligjit të RTK-së i cili është qe një vit në procedurë dhe për shkak të qëllimeve politike të grupacioneve të ndryshme nuk po mund të miratohet, të miratoje këtë ligj sipas propozimeve të dhëna dhe po me këtë ligj të zgjidhin pronën e RTK-se. Këtë mundësi e kanë partitë politike, thotë zoti Shala.

Nëpërmjet telefonit, anëtarët e komisionit për medie të Kuvendit të Kosovës, kanë shprehur habinë e tyre lidhur me këtë vendim të AKP-së, ndërkaq Zenun Pajaziti, kryetar i këtij komisioni, ka thënë për RTK-në, se nesër në mbledhjen e komisionit do të diskutohet edhe kjo çështje.

Menaxhmenti i RTK-së u kujton të gjithë subjekteve politike që RTK është në gjendje kritike edhe sa i përket ligjit për RTK-në, buxhetit dhe së fundmi edhe me çështjen e pronës.