Ahmeti uron Thaçin: Urime bashkëluftëtari im

Vijnë urimet e para për Hashim Thaçin, presidentin e ri të Kosovës.

Lajme

26/02/2016 21:08

Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti duke uruar siç e ka quajtur ai bashkëluftëtarin e tij i ka shprehur urimet më të sinqerta për zgjedhjen tuaj të sotme për President të ardhshëm të Republikës së Kosovës nga ana e Kuvendit të Kosovës.

“Dje luftuam së bashku për Kosovën e pavarur, të lirë dhe demokratike, më pas bashkëpunuam ngushtë si drejtues të shumicës së qytetarëve në dy vendet tona, ndërsa nga sot, si i pari i Republikës së Kosovës, ju ftoj që të thellojmë bashkëveprimin tonë dhe t’i rrekemi punës për ti përafruar qytetarët tanë edhe më shumë në drejtim të largimit të edhe atyre pak vijave ndarëse midis nesh”, thuhet në urimin e Ali Ahmetit.

“Sot si edhe çdo ditë tjetër, isha me ju dhe me të gjithë qytetarët e Kosovës për arsye se secilin zhvillim në Kosovë e përjetoj me emocion të veçantë, jo vetëm për faktin që me dekada punuam për Kosovën shtet ose që nuk llogarisnim se ku na zë nata e as se ku na gdhin mëngjesi, por për arsye ne jemi të lidhur ngushtë, ne jemi një, ne jemi të pandarë”, thuhet në urimin e Ahmetit.