Ahmeti: Komuna nga viti i ardhshëm mbledh faturat e mbeturinave

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka bërë të ditur se nga janar i vitit të ardhshëm mbledhja e mbeturinave do të paguhet në komuna.

Lajme

25/09/2017 15:38

“Ministria e Financave e ka futur në buxhet që ia jep të drejtën komunës së Prishtinës që t’i mbledhë vetë faturat e mbeturinave”, tha Ahmeti.

Ahmeti tha se do të kenë konsumatorë individualë, ndërsa për konsumatorët komercialë dhe industrialë do të varet prej sasisë së bërllokut që e gjenerojnë, për të cilën do të ketë marrëveshje të veçantë.

“Nuk mund të jetë niveli i faturës i njëjtë për restorant dhe për amvisëri. Më nuk ka rëndësi se kush është drejtor i kompanisë ‘Pastrimi’ sepse ne do t’i paguajmë sipas kontratës dhe punës që e bëjmë”.

“Presim që buxheti prej 4.3 milionë eurove të rritet, dhe po ashtu na lejon që t’i përfshijmë plotë lagje dhe fshatra të përfshihen që nuk janë përfshirë më herët”.

Ndërsa ish-nënkryetari i komunës së Prishtinës, deputeti i Vetëvendosjes, Dardan Sejdiu, ka theksuar se njëra ndër super-prioriteteve të tyre kryesore është mbledhja dhe deponimi i mbeturinave.

“Tash e katër vite largimi dhe pastrimi i mbeturinave është bërë, por  kemi pas një situatë jo të mirë për qytetarët e Prishtinës, sepse ndërmarrja ‘Pastrimi’ ka qenë në kundërshtim me politikat tona, por kemi arritur ti bëjmë disa hapa përpara, dhe me këtë kemi arrit ta bëjmë një Prishtinë të pastër”. /EO