Agani: PD-ja me xhelozi ka mbrojtur vlerat e mirëfillta fetare

Kryetari i Partisë së Drejtësisë (PD), Ferid Agani, ka thënë se ky subjekt ka mbrojtur dhe kultivuar vlerat e mirëfillta të popullit shqiptar, si traditën kombëtare ashtu edhe atë fetare.

Lajme

26/04/2015 13:10

Këto deklarata Agani i ka dhënë gjatë mbrëmjes së kaluar në qytetin e Pejës, ku është mbajtur Kuvendi i jashtëzakonshëm zgjedhor i degës PD-së, e cila ka zgjedhur kryetarin e ri dhe kryesinë e kësaj dege.

Agani pos tjerash ka theksuar se PD-ja pas 15 vjetësh nga themelimi është dhe mbetet alternativë e vetme për qytetarët e Pejës dhe të mbarë Kosovës, ngase, sipas tij, nga gjiri i saj ka nxjerrë gjithmonë kuadro të zellshme dhe profesionistë të cilët kanë dhënë kontribut të madh në ndërtimin dhe fuqizimin e institucioneve shtetërore.

Partia e Drejtësisë, dega në Pejë, zgjodhi kryetar Muhedin Sylqën. Ky i fundit është zotuar se do të angazhohet me tërë potencialin, në mënyrë që programin e PD-së ta zbatojë në përpikëri, dhe se do të punojë në drejtim që kjo parti të gjejë shtrirje edhe më të gjerë në rajonin e Pejës.

Kuvendi i jashtëzakonshëm zgjedhor i degës së Pejës ndodhi si pasojë e dorëheqjes së kryetarit të mëparshëm dhe disa anëtarëve tjerë të kryesisë.

Ndryshe, PD-ja në Pejë përfaqësohet me dy asamblistë dhe udhëheq me një drejtori, transmeton KosovaPress.