Afrohet “mejdani”! Krahu i Molliqajt apo i Kurtit…

Lëvizja e themeluar nga Albin Kurti të dielën e qartëson rrugën se kah do të shkojë kjo parti politike.

Lajme

16/12/2017 23:52

Pritet të vendoset për zgjedhjet e brendshme dhe për grupin e Dardan Molliqajt. Të gjitha këto zhvillime në Vetëvendosje po ndodhin derisa lideri shpirtëror i tyre ndodhet në burg. Mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm të VV-së nis të dielën në orën 11.30.

Lëvizja Vetëvendosje ka ndryshuar shumë metoda dhe veprime politike. Por, deri më tash, e kanë mbajtur të fortë qëndrimin se nuk bashkëpunojnë dhe nuk bëjnë koalicion me Partinë e Kadri Veselit dhe Hashim Thaçit.

Por, edhe në këtë pikë, po del se Vetëvendosje ka evoluuar. Njëri prej eksponentëve kryesor të VV-së, Dardan Mollqaj, e sqaroi se në vitin 2015 Albin Kurti kishte kërkuar të lihet e hapur mundësia e një koalicion me PDK-në. Deri më tash, Kurti dhe pjesa më e madhe e VV’së deklaronin publikisht se janë kundër PDK-së.

Molliqaj e përmendi këtë fakt për të treguar se prej asaj kohe nisën mospajtimet në Lëvizjen Vetëvendosje.

Madje, ish-Sekretari i VV-së demantoi Xhelal Sfeçlën, Albulena Haxhiun e Liburn Aliun, të cilët kanë deklaruar se udhëheqësi i Vetëvendosjes emërohet me forma demokratike.

Molliqaj ka deklaruar se edhe Visar Ymeri ishte bërë Shef i Vetëvendosjes me konsensus, ku katër pesë veta kishin vendosur për liderin pasues të Kurtit në Parti.

Ndërkohë, të dielën, grupi që përkrahë Kurtin, kanë mbledhur nënshkrimet dhe kanë thirr Këshillin e Përgjithshëm të Vetëvendosjes. Aty, pritet të shpallen zgjedhjet e reja dhe të caktohen edhe kriteret e atyre që pritet të jenë pjesë e garës.