Adri Nurellari largohet nga presidenca, angazhohet aktivisht në PDK

Adri Nurellari ka bërë të ditur se që nga sot nuk është më këshilltar i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Lajme

01/03/2017 17:16

Nurellari ka theksuar se do t’i kthehet angazhimit aktiv publik. Ai pritet të jetë pjesë e PDK-së.

Postimi i plotë i Nurellarit në Facebook:

Të dashur miq,

Dua t’ju informoj se prej sot nuk jam më Këshilltar i Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, pasi kam vendosur t’i rikthehem vokacionit tim për angazhim aktiv publik dhe përfshirje të shpenguar në debatet politike. Para do po përpiqem duke që të bëj atë që më pëlqen më shumë dhe që mendoj se e bëj më mirë.

I shpreh mirënjohjen Presidentit Thaçi për besimin që më ka dhënë dhe për bashkëpunimin e afërt, në më shumë se tre vjet. Kam konsideratën më të lartën për të, kam mësuar shumë prej tij dhe prej përvojës së përfituar gjatë punës që kam bërë në ekipin e tij.

Jam krenar që kam shërbyer për këtë periudhë të gjatë pranë politikanit shqiptar më të suksesshëm, i cili besoj se është një ndër kontribuuesit më të mëdhenj për çështjen kombëtare në historinë bashkëkohore të popullit shqiptar. Jam gjithashtu i sigurt se Z. Thaçi ka për ta përmbushur me sukses mandatin e Presidentit, duke vendosur një standard të ri të lartë në këtë detyrë.

Po ashtu, dëshiroj t’i falënderoj përzemërsisht kolegët e Kabinetit të Presidentit për bashkëpunimin e ngushtë e të frytshëm, si dhe për frymën tejet miqësore. Mburrem që isha pjesë e këtij ekipi të shkëlqyer profesionistësh e patriotësh të përkushtuar, të cilëve u uroj punë të mbarë dhe sa më shumë arritje.