Adem Salihaj: Si viktimë e atentatit, ndjehem i rrezikuar pas dëshmisë së Shkumbin Mehmetit

Ish deputeti i LDK-së, Adem Salihaj, ndaj të cilit vite më parë ishte bërë antenat, ka thënë se dëshmitë e Shkumbin Mehmetit nuk dolën mbrëmë për herë të parë në opinion dhe as befasisht, sepse shumica prej tyre janë publikuar edhe më pare nëpër portale dhe media te ndryshme.

Lajme

12/01/2018 19:36

“Të gjitha këto dëshmi janë të njohura për prokurorinë, policinë dhe gjykatat. Por, ato, në vend që t’i ndjekin kriminelët, e bëjnë të kundërtën, i fshehin dëshmitë dhe krimet, i mbrojnë kriminelët dhe i rrezikojnë edhe më tutje viktimat. Të gjithë ne që kemi qenë viktima të atentateve e tentim atentateve, edhe sot jemi plotësisht të rrezikuar, sepse jemi dëshmitarë të gjallë të krimeve të tyre”, ka thënë Salihaj.

Sipas tij, urdhërdhënësit e krimeve janë në krye të shtetit, ndërsa shteti ynë është tërësisht i kriminalizuar në çdo segment të tij.

“Asnjë prej segmenteve të drejtësisë e të shtetit në tërësi nuk është jashtë kontrollit të strukturave të krimit të organizuar. Ndoshta Gjykata Speciale do ta zbardhë një pjesë të vrasjeve politike, por jam i bindur se shumica do të mbeten të pazbardhura, sepse janë kryer pas 31 dhjetorit 2000”, ka thënë në fund Salihaj.

Shkumbin Mehmeti i dënuar me 30 vjet burgim për vrasjen e dy policëve në vitin 2004, një të UNMIK-ut dhe një të Kosovës, mbrëmë ka treguar për disa vrasje për të cilat pretendon se janë kryer nga grupi kriminal që i takonte ai.

Ai si themelues dhe organizator të këtij grupi kriminal i ka bërë vëllezërit nga Peja, Qerim dhe Ibrahim Kelmendi. /Lajmi.net/