Abuzimet ndaj punëtorëve pritet të minimizohen

Draft-marrëveshja e Përgjithshme e Kontratës Kolektive të Kosovës, të cilën e ka siguruar RTK, rregullon themelimin e marrëdhënies së punës, orarin e pushimeve, pagat, kompensimet dhe të ardhurat e tjera personale...

Lajme

15/03/2014 20:21

E kanë negociuar mbi katër vjet dhe në fund kanë arritur te një dokument që quhet Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive e Kosovës. Partnerët socialë, në përbërje të Qeverisë, BSPK-së, Odës Ekonomike dhe Aleancës së Bizneseve pritet ta finalizojnë javën e ardhshme dokumentin që përcakton dhe rregullon të drejtat dhe përgjegjësitë e marrëdhënies së punës. RTK ka siguruar kopjen e marrëveshjes, e cila pritet të nënshkruhet mes palëve javën e ardhshme.

Draft-marrëveshja e Përgjithshme Kolektive e Kosovës, të cilën e ka siguruar RTK-ja rregullon themelimin e marrëdhënies së punës, orarin e pushimeve, pagat, kompensimet dhe të ardhurat e tjera personale, të drejtat dhe obligimet e palëve dhe mënyrat e zgjidhjes së kontesteve.

Marrëveshja kolektive në pjesën më të madhe të saj, duket se është bërë përshkrim i dispozitave të Ligjit të Punës. E ajo çka i dallon janë renditja e neneve.

Zbatimin e marrëveshjes kolektive e garanton Qeveria e Kosovës, ndërsa marrëveshja obligon palët në marrëveshje në sektorin privat e publik. Marrëveshja mund të lidhet në nivel të Degës dhe Ndërmarrjes. Punëdhënësi në sektorin publik dhe privat, është i obliguar që të shpallë konkurs publik, apo shpallje publike, sa herë që pranon të punësuar dhe themelon marrëdhënie të punës.

Neni 23 i Marrëveshjes Kolektive përcakton orarin e punës, i cili përcakton 40 orë në javë ose 5 ditë pune. Në rastet e jashtëzakonshme orari i punës mund të zgjatet, por jo më shumë se 8 orë shtesë në javë, përkatësisht 20 orë në muaj.

Ndërkaq, puna e natës është e përcaktuar ora 22 deri në 6 të mëngjesit, ashtu siç e përcakton edhe Ligji i Punës. Puna e natës, mund të aplikohet, nëse krahas kushteve të parapara me ligjin e punës, plotësohen edhe këto kushte: pushimi vjetor më i gjatë, pushimi i siguruar në mes të ndërrimeve dhe kontrollet e rregullta mjekësore.

Me Marrëveshje Kolektive, në nivel të Degës dhe Ndërmarrjes, përveç përcaktimit të pagave bazë, konform kategorive tarifore, mund të përcaktohet edhe paga bazë për punët tipike. Paga bazë për punë tipike, përmban të gjitha elementet e ndërlikueshmërisë së punëve tipike dhe bazohet në metoda të vlerësimit të tyre sipas marrëveshjes në mes të punëdhënësit dhe të punësuarit. E vlerën e pagesës për punët tipike, e përcakton i punësuari për shkak të ndikimit në ambientet e punës, në veçanti në këto raste: me rastin e punës së ndotur dhe punëve të tjera të rënda, gjatë të cilave i punësuari u është ekspozuar ndikimeve negative të ambientit,

temperaturave të larta, pluhurit, eksplodimit.

I punësuari ka të drejtë që në këtë rast t’i kërkojë punëdhënësit që kompensimi t’i bëhet me ditë pushimi. E që kjo formë e kompensimit duhet të përfshihet në kontratën e punës.

Siç ka mësuar Radiotelevizioni i Kosovës nga burimet e saj, Partnerët socialë ende nuk i kanë sqaruar disa çështje, përpara nënshkrimit të Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive.

Deri tani zgjidhje nuk është gjetur për shtesat për përvojë të punës. Për këtë çështje, në nenin 48 të draft-marrëveshjes thuhet se: “Të punësuarve t’u njihet e drejta e shtesës për përvojë në punë prej 0.5 për qind të pagës bazë, për çdo vit të plotë të përvojës së punës”.

Zgjidhje nuk është arritur edhe për mënyrën e shfrytëzimit të pushimit mjekësor si dhe për neni 53 i cili thotë se i punësuari, me rastin e pensionimit, gëzon të drejtën në pagesën përcjellëse në lartësi prej tri pagash mujore që i ka marrë në tre muajt e fundit.

Çështje e debatuar ka mbetur edhe pagesa e shujtës. Neni 54 i marrëveshjes thotë se: “Të punësuarve u sigurohet kompensimi për ushqim, gjatë punës (8 orë) për ditët e pranisë në punë. Vlera e kompensimit të shpenzimit të ushqimit në punë, për një ditë pune të jetë (2 euro) varësisht nga rrethanat dhe mundësitë për rastet konkrete. Punëdhënësi i cili e ka të rregulluar ushqimin e të punësuarve, përmes restorantit, kuzhinës, ose ndonjë formë tjetër, nuk ka obligim për pagesë të të punësuarve për ushqim”.

Marrëveshja kolektive pritet t’i rregullojë edhe kompensimet për udhëtimet zyrtare, kompensimet dhe shpërblimet jubilare. Në këtë të fundit, është parashikuar që të punësuarit kanë të drejtë në shpërblim jubilar për 10 vjet të përvojës së punës së pandërprerë te punëdhënësi i fundit në vlerë të një page mujore.

E neni 56 flet për kompensimin e shpenzimeve të shkollimit në ditët e lira. Të punësuarit që dërgohen në shkollim, në interes të punëdhënësit, nga punëdhënësi i mbulohen këto shpenzime të shkollimit: Shpenzimet e udhëtimit, shkollimit, ushqimit dhe banimit. Krahas ditëve të lira, i punësuari ka të drejtë në ditë të lira edhe në ditën e provimit.

Marrëveshja obligon partnerët socialë që t’i shmangen çdo veprimi, i cili do ta kundërshtonte zbatimin e saj. Ndërsa, secila palë që është nënshkruese e marrëveshjes, ka të drejtë që të propozoj ndryshime të saj, e cila i drejtohet Këshillit Ekonomik-Social. Në rast të moszgjidhjes së kontesteve ndërmjet partnerëve socialë, ato i zgjedh Komisioni për Pajtim dhe ai i Arbitrazhit.

Marrëveshja ka afat zbatimi në një periudhë trevjeçare. Marrëveshja hyn në fuqi, pas publikimit në Gazetën Zyrtare.

Kontrata Kolektive per sektorin e Arsimit – SBASHK

E sindikalistët e arsimit do të kërkojnë kontratë kolektive të veçantë për të rregulluar të drejtat dhe përgjegjësitë e mësimdhënësve. Zyrtarë të Ministrisë së Arsimit thonë se së pari do të shikohet kontrata kolektive nacionale, dhe më pastaj, nëse kanë mbetur çështje të papërfshira në të, do të krijohet edhe kontrata kolektive për çështje arsimore.

Sindikalistët e sektorit të arsimit janë duke kërkuar që, përveç kontratës kolektive nacionale, e cila pritet të nënshkruhet javën që vjen, të ketë edhe një kontratë kolektive të sektorit të arsimit. Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari, thotë se qëllimi i krijimit të kontratës kolektive të sektorit të edukimit-arsimit është rregullimi i disa çështjeve specifike më të cilat përballen mësimdhënësit.

Këtë iniciativë të SBASHK-ut e mirëpresin edhe përfaqësues të Ministrisë së Arsimit. Ata thonë se së pari do të shikohet kontrata kolektive nacionale, dhe më pastaj, nëse kanë mbetur çështje të pa përfshira në të, do të krijohet edhe kontrata kolektive për çështje arsimore.

 

(RTK)