LDK kërkon seancë të jashtëzakonshme për vizat

Lidhja Demokratike e Kosovës ka kërkuar seancë të jashtëzakonshme për siç thonë ata, dështimet e koalicionit qeverisës që kulmuan me mosliberalizim të vizave.

Lajme

04/12/2018 09:14

Komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerim, Johannes Hahn, gjatë vizitës së tij dje në Prishtinë ka bërë të ditur se nuk do të ketë liberalizim të vizave për Kosovën deri në vitin 2020, shkruan lajmi.net.

Përmes një njoftimi për media, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka bërë të ditur se dështimi në liberalizimin e vizave dhe në INTERPOL po e shesin si dështim të Evropës.

Sipas LDK-së, Kuvendi duhet të mblidhet në seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar këtë çështje dhe se dorëheqja e koalicionit qeverisës është veprimi i vetëm që ju ka mbetur, shkruan më tutje lajmi.net.

Njoftimi i plotë i LDK-së pa ndërhyrje:

Kryeministri i sotëm dhe zëvendësi i tij Limaj dikur pengonin me dhunë e intriga përmbushjen e kritereve për liberalizim të vizave. Atëherë e fajësonin Bashkimin Evropian, i cili deklaronte se po rrezikohet liberalizimi i vizave deri pas zgjedhjeve të vitit 2019 në Bashkimin Evropian.

Sot, kur ai paralajmërim është bërë fakt, përdoruesit e dhunës dhe intrigave, tash bashkë me partnerët e tyre qeverisës, sërish po fajësojnë Bashkimin Evropian.

Dështimin në liberalizimin e vizave dhe anëtarësimin në Interpol po e shesin si dështim të Evropës, në rastin e liberalizimit të vizave, dhe të sigurisë globale, në rastin e Interpolit.

Kosovës po i mbyllen dyert sepse udhëhiqet prej njerëzve të izoluar. Këta po mundohen ta shpërthejnë izolimin e tyre, duke e izoluar Kosovën. Por, Kosova dhe qytetarët e saj do ta shpërthejnë izolimin duke i izoluar këta udhëheqës të papërgjegjshëm.

Kuvendi duhet të mblidhet në seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar këtë çështje. Dorëheqja e tyre është veprimi i vetëm që ju ka mbetur. /Lajmi.net/