AAK: Po punojmë t’i çojmë në pension PDK-në dhe LDK-në

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e sheh të pamundur hyrjen në koalicion qeverisës në zgjedhjet e ardhshme me ndonjërën nga partitë në pushtet, PDK dhe LDK.

Lajme

19/04/2017 23:38

Sipas AAK-së, partitë e koalicionit qeverisës janë ata që i kanë sjellë shumë të këqija këtij vendi, prandaj nuk është e mundur që AAK të bëjë koalicion me ta.

Kështu tha për Indeksonline, deputetja e Kuvendit të Kosovës nga AAK, Teuta Haxhiu, e cila theksoi se partia e vetme zyrtare me të cilën ata kanë koalicion është Nisma.

Sipas saj, ata mund të hyjnë në koalicion edhe me partitë të tjera, por kurrsesi me PDK-në dhe LDK-në.

“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka koalicion zyrtar siç e dinë të gjithë me Nismës për Kosovën. Ky është për momentin koalicioni i vetëm, mund të ketë koalicione me subjekte të vogla, megjithatë për momentin nuk ka diçka. Mirëpo sa i përket PDK-së nuk ka diçka tjetër. Absolutë, të gjithë ata që mendojnë se mund të ketë në mes të Aleancës dhe PDK-së për momentin janë njerëz që nuk ia donë të mirën këtij vendi. Do të thotë edhe njëherë zyrtarisht është koalicioni në mes Nismës dhe Aleancës, në këtë koalicion kemi subjekte të vogla përjashtuar PDK-në dhe LDK-në, sepse të këqijat e Kosovës kanë ardhur prej këtyre dy partive”, ka deklaruar Haxhiu.

Haxhiu beson që shumë shpejt vendi do të shkojë në zgjedhje, prandaj ata janë duke punuar që t’i çojë në pension PDK-në dhe LDK-në.

“Ne jemi ka punojmë që këta t’i çojmë PDK-në dhe LDK-në në pension. Ne synojmë të jemi koalicion fitues dhe të sjellim një Qeveri të përgjegjshme që nuk është model i qeverisë PDK-LDK. Pra, këta e meritojnë të shkojnë në pension deri sa populli të vlerësoj se këta janë në gjendje të bëjnë diçka mirë për këtë shtet. Momentalisht, rritja jonë në çdo vend po tregon se qytetarët janë përkrahë neve dhe ne po punojmë që të jemi fitues, sepse besoj që do të kemi zgjedhje të lira dhe demokratike shumë shpejt”, ka shtuar ajo më tej.

Ndryshe, kohëve të fundit është përfol shumë se vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Si datë e mundshme për këto zgjedhje është dhënë edhe data 4 qershor, megjithatë ende nuk ka asgjë konkrete./Indeksonline/