AAK kundërshton ashpër kërkesën e Apostolovës për Asociacionin

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) e ka kundërshtuar kërkesën e përfaqësueses së Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Natalyia Apostolova që Gjykata Kushtetuese të rishikoj vendimin për Marrëveshjen për Themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Lajme

19/04/2017 17:45

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj ka thënë për lajmi.net se askush nuk duhet të guxoj të kërkoj të zbatohen marrëveshje që janë në kundërshtim me Kushtetutën e vendit.

“Sa i përket të gjitha deklaratave që kanë të bëjnë me ndërhyrjen në Kushtetutën e vendit janë të papranueshme. Kushtetuta e Kosovës është garantuese e funksionalitetit të shtetit dhe askush nuk duhet të guxoj të bëhen ndërhyrje, e sidomos në çështje të tilla si Marrëveshja për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, pasi ajo është në kundërshtim me 23 nene të Kushtetutës. Askush nuk duhet të kërkoj të bëhen veprime që shkelin Kushtetutën, ndryshimet në Kushtetutë mund të bëhen vetëm me ndryshime kushtetuese me dy të tretat e votave si dhe me referendum”, ka deklaruar Lekaj.

Sot, përfaqësuesja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Natalyia Apostolova, ka thënë se Marrëveshja për Asociacionin duhet të rishikohet edhe njëherë nga Gjykata Kushtetuese, duke kërkuar që Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe të themelohet sa më parë. /Lajmi.net/