AAK: Kryeministër gjeni bosët e kazinove, reketit e ryshfetit e mos përhapni mjegull

Pas deklaratës së kryeministri Isa Mustafa në lidhje me uljen e shkallës së papunësisë kanë vazhduar përplasjet e njëpasnjëshme në mes Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Lajme

27/11/2016 19:00

Përmes një komunikatë  për media Aleanca për Ardhmërinë e  Kosovës ka kërkuar nga kryeministri Mustafa që të gjejë bosët e kazinove, reketit dhe që të mos përhapet mjegull më tepër.

Kjo është komunikata e plotë:

“Isa Mustafa, nese jeni kryeministër gjeni boset e kazinove, reketit e ryshfetit e mos përhapni mjegull

Atë që nuk ka guxim ta thotë Isa Mustafa me zë, sepse e di që është gënjeshtër, ia plotësojnë mediat e tij, nga se ato janë mësuar të gënjejnë. Paska folur për bosët e kazinove, të reketit e të ryshfetit, por s’paska pasur guxim të thotë kush janë dhe të kujt janë, sepse ai e di që i ka në shpi, por ja që media e tij u paska gjetur adresë, e kryeministrit do t’i ketë pëlqyer prandaj nuk e ka përgënjeshtruar.

Qenka shërbyer edhe vet me propagandën që deri dje e “ka luftuar”! Mos u tutni kryeministër po nxjerrni në shesh edhe banditët edhe kasinot. Mos e përdorni logjikën e strucit, ose të skuthit “me gjujt gurin e me e fsheh dorën”! Ju jeni kryeministër dhe duhet t’i nxjerrni në shesh banditët, vetëm nëse nuk jeni edhe vet njëri prej tyre. Prandaj kryeministër mos përhapni tym e mjegull, sepse nuk e keni më aparatin e Rrahman Morinës me ju mbrojt. Të dhënat për punësimin i keni rrena. Këtë nuk po ua thotë vetëm AAK, por edhe ata qindra mijëra njerëz të papunë, të cilët nuk mund t’i mashtroni më. Prandaj s’keni pse kceni si zorra n’prush.

Meqë ra fjala Kryeministër, pse po merreni me tym e me mjegull e nuk po flisni për qato 70 dosje që i ke në prokurori, për vete, për miqtë e për djemt e tu. Bëni diçka të hajrit në jetën tuaj. Nisjani nga oborri i juaj!”, thuhet në reagim. /Lajmi.net/