500 milionë euro borxh ndaj ndërmarrjeve publike

Ndërmarrjet Publike po kanë vështirësi në inkasimin e të ardhurave të tyre.  Që nga paslufta e deri më tashti, borxhi i konsumatorëve ndaj Ndërmarrjeve Publike, ka kapur vlerën prej 500 milionë euro. Një gjë e tillë, po e vështirëson shërbimin e ndërmarrjeve publike.

Lajme

16/11/2014 11:36

Madje ka raste kur edhe vet Ndërmarrjet Publike u kanë borxh njëra tjetrës, për shërbimet që u ofrohen.

Në Korporatën Energjetike të Kosovës, borxhi i konsumatorëve është diku rreth 410 milionë euro, e këtë e tregon edhe drejtori i shërbimeve në KEK, Edmond Nulleshi.

Ai përmes postës elektronike, i ka thënë KosovaPress-it, se borxhi i konsumatorëve ndaj KEK-ut, është 410 milionë euro, mirëpo siç ka thënë ai, që nga privatizimi i distribucionit, me vendimin e Qeverisë, është nënshkruar marrëveshja për inkasim të borxheve të vjetra, që këtë tash e bënë KEDS-i.

“Duke pasur parasysh faktin se të gjitha resurset për këtë shërbim janë bartur tek KEDS, sipas kësaj marrëveshje, KEK ka angazhuar KEDS si agjent për grumbullimin e borxheve të vjetra përkundrejt pagesës së një takse për atë shërbim. Në baza tremujore KEDS i dërgon shënimet rreth borxhit të inkasuar dhe bënë pagesën e tyre. Përndryshe, borxhi përgjithshëm që konsumatorët në tërë vendin ia kishin KEK-ut deri në maj 2013, figuronte të ishte rreth 410 milionë euro”, ka thënë Nulleshi.

Se konsumatorët janë në borxh shumë të madh me Ndërmarrjet Publike, këtë e thotë edhe Selatin Ratkoceri, drejtori i financave në Kompaninë e Ujësjellësit Rajonal Prishtina.

“Borxhi i konsumatorëve të Ujësjellësit Rajonal Prishtina, që nga pas lufta e deri në ditët e sotshme, ka arritur një shifër mjaftë të madhe, diku deri në 51 milionë.Ndërmarrjet Publike, rreth 1 milion e gjysmë borxhi i përgjithshëm, prej tyre mbi 500 mijë euro i kanë kaluar AKP-së dhe mbeten 1 milion euro Ndërmarrjet Publike të ndryshe që i kanë borxh Ujësjellësit”.

Ndër të tjera, ai ka treguar se borxhi i konsumatorëve ndaj kompanisë së Ujësjellësit ndikon shumë tek këta të fundit, e sidomos tash, kur këta të fundit janë duke investuar.

Siç ka treguar Ratkoceri, Ujësjellësi po ndërmerr hapa ndaj rrjetit primar dhe sekondar nëpër lagjet e Prishtinës, Obiliqit dhe Fushë Kosovës.

 “Ne jemi futur në investime të mëdha për të përmirësuar gjendjen me ujë, furnizimin me ujë të qytetarëve, andaj borxhet kaq të mëdha ndikojnë dukshëm në financat e kompanisë dhe në likuidimin e borxheve të cilat i kemi dhe na pasojnë në të ardhmen”, ka treguar ai.

Nuk janë vetëm këto ndërmarrje që presin kthimin e borxheve që konsumatorët e kanë ndaj tyre. Me të njëjtën problematik, po ballafaqohet edhe ndërmarrja Pastrimi.

Arbnora Ademi, zëdhënëse e kompanisë Pastrimi, ka treguar se borxhi i konsumatorëve që kanë ndaj kompanisë në fjalë është vlerë shumë e madhe.

“Borxhi i vitit 2013, borxhi i qytetarëve ndaj kompanisë Pastrimi, i obligimeve të tyre konkretisht është 1 milion e 600 mijë euro, ndërsa deri më tani komplet që nga vitet e pasluftës borxhi ka arritur vlerën deri mbi 19 milionë euro. Vlerë shumë e madhe e cila vështirëson mundësinë e kryerjes së shërbimit sa më efikas, sepse kompania Pastrimi në kryerjen e shërbimeve ka obligimet e veta, ka koston e vet, megjithatë po mundohet të gjejë çdo formë që të kryejë shërbim dhe të qëndrojë besnik ndaj qytetarëve, që kryeqyteti të jetë sa më i pastër”, ka thënë ajo.

Më tej ajo ka përmendur një problem që e konsideron se është shumë shqetësues për këtë ta fundit, siç janë rastet sociale, ku për mbi 7 mijë raste sociale kompania Pastrimi ju kryen shërbim dhe se ata nuk paguajnë.

Ademi, i justifikon këto 7 mijë familje ngase këto janë raste sociale, mirëpo ajo ia hedh fajin Qeverisë së Kosovës, e cila për kompanitë tjera publike, u jep konpenzim për raste sociale, ndërsa për kompaninë Pastrimi jo, e kjo mbetet vetëm barrë e kompanisë në fjalë, ka përfunduar Ademi, raporton KosovaPress.